​Kurti flet për vizat, propozimin franko-gjerman dhe veriun

Për propozimin gjermano-francez për dialogun, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ka diskutime dhe ide por jo diçka konkrete që do të mund ta prezantonin si formë përfundimtare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk mund të merren me marrëveshje përfundimtare që të mos ketë destabilizim duke shtuar që këto janë dy gjëra të ndryshme. I pyetur se cila është përgjigja e qeverisë në rast të destabilizimit të situatës në veri pas darës 31 tetor, Kurti ka thënë se ka vend për brengosje por jo për frikë.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se duhet kujdes por ka shtuar se për menaxhimin e e krizës kujdesen KFOR-i dhe Policia e Kosovës.

“Nuk mund të merremi me marrëveshje përfundimtare që të mos ketë destabilizim sepse këto janë dy gjëra ndryshme, menaxhimi i krizës është çështje e organeve të sigurisë, KFOR-i, Policia e Kosovës, EULEX, e kështu me radhë, edhe diplomacia kontribuon por ajo është pika e dytë, pika e parë është kjo tjetra që thash se ne po angazhohemi maksimalisht. A ka vend që të jemi të brengosur, sigurisht. A duhet të jemi kujdesshëm, pa dyshim. Por nuk kemi pse frikësohemi edhe për shkak se në përgjithësi njeriu kur frikësohet ia tepron me frikë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se dialogu vazhdon edhe është shprehur optimist për këtë duke thënë se po dëshmohet që Kosova është shtet i suksesshëm dhe sipas tij Bashkimi Evropian e ka kuptuar kush është në anën e drejtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Sa i përket propozimit gjermano-francez nuk ka një propozim të tillë për marrëveshje përfundimtare, më 19 korrik është dashur të mbahet takimi në Bruksel që u shty për një muaj me kërkesë të Beogradit për 18 gusht, dhe në atë takim është diskutuar korniza e përgjithshme e marrëveshjes. Unë kam dhënë propozimin tim aty dhe kjo nuk duhet të ngatërrohet me hapat sa i përket menaxhimit të krizës këto janë gjëra të ndryshme. Ka diskutime, ka opsione, ka ide, ka sprova mirëpo nuk mund të them që kemi diçka të ngurtësuar të cilën do të mund ta prezantonim në një formë përfundimtare, nuk ka diçka të tillë, dialogu vazhdon, takimet, diskutimet vazhdojnë, jam optimist edhe aty për shkak se Republika e Kosovës po dëshmohet shteti i suksesshëm ndërkaq besoj qe edhe Bashkimi Evropian e ka kuptuar se kush është në anën e drejtë edhe verore edhe historike në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Kurti.


Ndërsa lidhur me konvertimin e targave, Kurti edhe njëherë u ka bërë thirrje qytetarëve serb që ta bëjnë një gjë të tillë ndërsa ka theksuar se afati i fundit për këtë është 31 tetori i këtij viti.

“Ne tashmë e kemi shtyrë njëherë afatin pra afati është shtyre është deri më 31 tetor, edhe Beogradi në bazë të zotimeve që i ka dhënë në Bruksel në kohën e qeverive kur unë kryeministër nuk isha ka premtuar që pas mesit të janarit të vitit 2018 as nuk do të prodhohen as nuk do të qarkullojnë ato tabelat që janë trashëgimi për nga mënyra regjimit të Millosheviqit. Unë ju bëj thirrje edhe njëherë qytetarëve serb të Kosovës që t’i konvertojë targat në ato të Republikës së Kosovës siç kanë bërë shumica dërrmuese. Janë më pak se 10 mijë vetura me tabela të regjistrimit KM, PE, PZ, DJ, UR, GL e kështu me radhë, pra janë më pak sesa 10 mijë ndërsa edhe tek letërnjoftimet janë 135 mijë letërnjoftime të RKS që i posedojnë qytetarët serb në Kosovë, vetëm 2 mijë deri 5 mijë prej tyre refuzojnë ta bëjnë këtë. Pra nuk bëhet fjalë për një qëndrim të serbëve në Kosovë por për një insistim politik të një pakice ekstremiste. Por besoj që edhe kjo nuk është reale, meqenëse ka struktura ilegale që e bëjnë një trysni të tillë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se serbët në Kosovë nuk janë të lirë për shkak të strukturave ilegale të cilat, siç tha ai, nuk dëshirojnë të lejojnë që serbët të kenë më shumë se një parti dhe mendim të pavarur politik.

Në konferencën për media pasi pranoi raportin e progresit Kurti është shprehur optimist për çështjen e liberalizimit të vizave dhe ka thënë se qeveria e tij e ka përmirësuar imazhin e Kosovës.

“Para tre muajve janë bërë katër vjet prej se Komisioni Evropian për herë të dytë ka rekomanduar heqjen e regjimit të vizave për qytetarët tanë, për të ja shtuar edhe më tej vlerën Kosovës dhe orientimit të saj është qeveria jonë e cila e ka përmirësuar imazhin e Kosovës, pra edhe ata që kanë qenë skeptik nuk kanë pse të jenë skeptik meqenëse edhe imazhi i Kosovës është përmirësuar dukshëm gjatë vitit 2021-2022. Prandaj edhe jemi optimist dhe nuk besoj që duhet të përgatitemi tash paraprakisht për skenarë negativ dhe nuk besoj që ka as arsye as logjikë e as plane për kushte të reja, kushtet janë kryer, janë ato 95 dhe ne me optimizëm shikojmë përpara”, ka thënë kryeministri.

Lexo edhe

Video