​Kurti dhe Stoltenberg diskutojnë për rolin e NATO-së në Kosovë

​Kurti dhe Stoltenberg diskutojnë për rolin e NATO-së në Kosovë

Të enjten sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka qëndruar në Kosovë ku u takua edhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Nga zyra e kryeministrit kanë treguar se në takim mes Kurtit e Stoltenberg u diskutua për rolin e NATO-së në Kosovë dhe bashkëpunimin me institucionet për sigurinë në vend.

Citohet që Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për kontributin e çmuar të NATO-s në Kosovë dhe rëndësinë e KFOR-it për siguri dhe stabilitet në rajon. Ai ritheksoi përkushtimin e Kosovës për integrim në aleancën më të madhe të paqes e sigurisë në botë, NATO.


Poashtu në takim Kurti e njoftoi sekretarin e NATO-s për përmirësimin e situatës me pandeminë COVID-19, si rezultat i menaxhimit të mirë institucional dhe për reformat e nisura në drejtësi e punësim.

Sekretari Stoltenberg vlerësoi angazhimin institucional për të garantuar sigurinë në vend dhe shprehu përkushtimin e vazhdueshëm të misionit të NATO-s për mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë.

Duke biseduar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Kryeministri theksoi punën dhe angazhimin e vazhdueshëm për avancimin e FSK-së në një ushtri moderne, në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ai shprehu gatishmërinë e FSK-së për zgjerimin e partneritetit me NATO-n, për t’i kontribuar paqes dhe sigurisë në nivel ndërkombëtar.

Në takimin që u zhvillua në kuadër të vizitës një ditore në Kosovë të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ishin të pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i KFOR-it, Franco Frederici dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.