​Kurti: Agjencia e Akreditimit do të jetë e pavarur, synojmë kthimin e Kosovës në ENQA dhe EQUAR

​Kurti: Agjencia e Akreditimit do të jetë e pavarur, synojmë kthimin e Kosovës në ENQA dhe EQUAR

Kryeministri Albin Kurti deklaroi sot se Agjencia e Akreditimit (AKA) tani e tutje do të jetë krejtësisht e pavarur. Sipas tij, qeveria që ai udhëheq ka prioritet kthimin e Kosovës në ENQA dhe EQUAR.

Me rastin e prezantimit të aktiviteteteve të Agjencisë së Kosovës për Akreditim për vitin 2021 dhe Strategjinë e AKA-së 2021-2025, Kurti tha se AKA do të jetë etike dhe profesionale.

“Si qeverisje kemi trashëguar një sistem arsimor që nuk ka qenë vizionar. Këto interferime kanë penguar për një sistem më të mirë arsimor. Kur është fjala për agjencinë e akreditimit ne synojmë ta bëjmë krejtësisht të pavarur. Tani e tutje kjo agjenci do të jetë etike dhe profesionale. Agjencisë së Akreditimit do t’i qëndrojë afër Ministria e Arsimit. Arsimi i lartë në Kosovë ballafaqohet me një hulumtim të paktë që nuk i shërben politikbërjes”, ka thënë ai.


Kreu i ekzekutivit tha po ashtu se AKA ka treguar një transparencë vitin që shkoi, derisa shtoi se prioritet mbetet rikthimi në ENQA dhe EQUAR.

“Ne jemi për një politikbërje që përparon për cilësi të arsimit. Besoj fort që me kontributin e të gjithëve, rezultatet do të jenë afirmative”, ka shtuar Kurti.

Edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci tha se prioritet i qeverisjes së tyre është mbështetja e Agjencisë së Akreditimit.

“Me marrjen e mandatit e kemi gjetur Këshillin Shtetëror të Cilësisë jofunksional. Puna dhe angazhimi ynë në këtë drejtim është vlerësuar pozitivisht edhe në raportin për Kosovën në Komisionin Evropian. Këtë vit kemi një situatë shumë më të mirë me AKA-në”, tha ajo.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.