​Kryesuesi i bordit të ZRRE-së arsyeton propozimin: Në veri nuk do të ketë shtrenjtim të rrymës

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) Ymer Fejzullahu gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, lidhur me shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike ka thënë se në katër komunat veriore me shumicë serbe nuk është paraparë të rriten tarifat e energjisë elektrike sikur në gjithë vendin. Kjo siç tha ai, në bazë të një vendimi gjyqësor.

Para deputetëve, Fejzullahu përreth 4 orë sa zgjati raportimi ka arsyetuar propozimin për shtrenjtimin e rrymës nga 1 shkurti 2022 deri më 1 mars 2023, derisa tha se kanë qenë të obliguar për këtë.

Në anën tjetër, deputetët e opozitës kanë thënë se raporti i ZRrE-së është shkruar nga Qeveria dhe sipas tyre ky institucion i pavarur është e ndikuar nga partia në pushtet.

“Sa i përket veriut, ZRrE-ja në bazë të vendimit të Gjykatës nuk ka të drejtë të (shtrenjtojë) të merret me këtë çështje meqenëse jemi në një proces gjyqësor. Dhe në kalkulimet që ne i kemi bërë nuk është e përfshirë pjesa e veriut të Kosovës”, theksoi Fejzullahu.

Kryetari i Komisionit nga radhët e PDK-së, Ferat Shala theksoi se ngritja e çmimeve është projekt i përbashkët mes Qeverisë dhe ZRRE-së.

“Nuk i ke marrë vendimet e pavarura, sepse në raport na e ka sjellë kalkulimin qeveritar, projektin qeveritar. Nuk është i juaji. Do të ishte mirë të na sjellin një raport të ZRrE-së. Prandaj, dallimi është se na ka sjellë raportin e përbashkët ZRrE-Qeveri. Në njërën anë po e mbron pavarësinë, por ta sillni një raport tuajin. Kjo ishte kërkesa jonë”, tha Shala.

Ndërkaq, edhe deputeti LDK-së, Besian Mustafa theksoi se raporti i ZRrE-së është shkruar nga Qeveria, dhe fajësoi kolegët e tij të VV-së, se sot “vetëm sa për sy e faqe po provokojnë dhe sulmojnë ZRrE-në para kamerave”.


“Dua të shprehi për ju dhe kolegen tuaj keqardhje dhe dhimbje, nuk e di se si keni arritur që të lejoni të ndikoi në raportin tuaj, dhe në anën tjetër deputetët e tyre(VV), këtu para kamerave u bëjnë pyetje provokative dhe ju sulmojnë. Kjo me të vetmin qëllim që gjithë fajin e ngritjes së tarifave ta bartin tek ju. Por, në momentin që keni lejuar që raportin t’ua shkruajë Qeveria me vetëdije apo pa të, ta nënshkruani këtë raport, keni marrë përgjegjësinë edhe për këtë. Por, atë që s’e kuptoj është ajo se si tentoni që përgjegjësinë dhe kryqëzimin tek 30 përqind e qytetarëve, dhe theksoni se duhet të subvencionohet rritja e çmimit për këta 70 përqind të tjerë, që kinse këta po e shfrytëzojnë energjinë për ngrohje”, u shpreh Mustafa.

U.d. kryetarja e GP të VV-së Mimoza Kusari Lila, tha se deputetët e këtij subjekti nuk do ta votojnë  nesër në Kuvend rezolutën me rekomandime të opozitës për refuzimin e raportit të ZRrE-së për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike.

Deputetja Kusari Lila derisa pati përgjigje për deputetin Mustafa, i ka propozuar ZRrE-së që pragu i rritjes së çmimit të mos jetë 600 KwH, por në 800 KwH.

“Rezolutën nuk e kemi votuar dhe nuk e votojmë për arsye se synojmë në pavarësinë e Rregullatorit, por edhe në shifra dhe numra të cilët kanë kuptim. Ndërsa, për deputetin Mustafa që tash është larguar, debati ynë nuk ishte sulm mbi zyrtarët e ZRrE-së e as ekspozim ndaj një vendimi, por insistim që të kemi saktësi në ato dokumente të cilat janë në interes për qytetarët. Dua t’i kthehem edhe një herë pyetjes përse 600 KwH është vendosur kufiri, mbi çfarë kalkulimi?… Ishte dashur me qenë me lehtësi që ky kufi me u ngritë në 800 KwH”, tha ajo.

Megjithatë, kryesuesi Fejzullahu ka thënë se rezolutat e tilla nga Kuvendi për parandalimin e shtrenjtimit të rrymës nuk janë obligative për ZRrE-në.

“E di që është në të mirën e konsumatorëve dhe tingëllon keq me thënë këtë, por ligjërisht për neve rezolutat nuk janë obligative dhe po e përsëris se Kuvendi dhe Qeveria të rezervohen në këto ndikime në rastin në qoftë se dëshirojmë me u integruar në Bashkimin Evropian”, theksoi Fejzullahu.

Ndërsa, për kërkesën e deputetes Kusari Lila, Fejzullahu tha se e kanë të vështirë të lëvizin nga pragu prej 600 KwH.

Gjatë raportimit për kategoritë e shtrenjtimit të rrymës dhe arsyen e saj, Fejzullahu bëri me dije se KEDS-i ia ka borxh mbi 50 milionë euro Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), dhe theksoi se KEDS-i është i vetmi që ka kërkuar ndryshim të strukturës tarifore.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.