​Kryeministri kroat: Serbia nuk mund të ulet në dy karrige

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq deklaroi se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë janë platforma e vetme për të ecur përpara prandaj shtoi se i inkurajojnë të dy palët që të gjejnë një zgjidhje të përbashkët.

Në samitin Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor, duke folur para gazetarëve, Plenkoviq u shpreh se Kroacia nxit palët për marrëveshje konkrete që do të ndikonin në funksionimin normal të institucioneve në veri të vendit.

“(Dialogu) është një proces që është lehtësuar nga institucionet e Bashkimit Evropian në veçanti z. Borrell dhe z. Lajçak, ata kanë shumë përvojë, janë të përfshirë në të gjitha aktivitetet në rajon. Ajo që Kroacia po nxit vazhdimisht është paqja, dhe marrëveshjet konkrete, që do të lehtësojnë punën normale dhe funksionimin normal sidomos në pjesën veriore të Kosovës”, tha kryeministri kroat.


Plenkoviq, duke nënkuptuar raportet e Serbisë me Rusinë, foli edhe për rëndësinë që vendet e rajonit të harmonizojnë politikën e jashtme dhe atë të sigurisë me Bashkimin Evropian.

Ai tha se Serbia nuk mund të ulet në dy karrige.

“Nuk është koha për t’u ulur në dy karrige, nëse Serbia është me të vërtetë ambicioze dhe sinqerisht e përkushtuar për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, atëherë është koha që të harmonizojë pozicionin e saj edhe në politikën e jashtme”, tha Plenkoviq.

Serbia është i vetmi shtet ballkanik që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë pas agresionit të saj në Ukrainë. Përkundrazi, në Beograd me dhjetëra herë ka pasur manifestime në përkrahje të Vladimir Putin ndërsa nuk kanë munguar edhe deklaratat e vetë politikanëve serbë në mbështetje të Rusisë.

Lexo edhe

Video