​Krivaça mbrohet në heshtje, Sejdiu deklarohet i pafajshëm

Për Dardan Krivaçën dhe Arbër Sejdiun të akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani sot është mbajtur seanca fillestare pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj.

I akuzuari, Krivaça i cili ngarkohet me veprën penale “dhunim” dhe “vrasje e rëndë” u mbrojt në heshtje në këtë fazë të këtij procesi gjyqësor, kurse i akuzuari tjetër, Sejdiu u deklarua i pafajshëm për akuzën që e ngarkon me veprën penale “vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryeje të dhunimit”.

Në sallën e Gjykatës Themelore të Ferizajt me një numër të madh të forcave të Njësisë Speciale u sollën dy të akuzuarit. I akuzuari, Dardan Krivaça krahas përcjelljes së madhe me policë kishte të veshur edhe jelekun antiplumb.

Gjithë procesin nga afër e përcollën edhe prindërit e tashmë të ndjerës, Marigona Osmani, dhe familjarë të tjerë.

Pas leximit të aktakuzës, kryetari i trupit gjykues, Sahit Krasniqi e pyeti të akuzuarin, Dardan Krivaçën nëse e ka kuptuar aktakuzën.

Krivaça u pa duke qarë.

Krivaça: Nuk jam duke mundur kurrgjë më…

Krasniqi:A e ke kuptuar aktakuzën nuk ke nevojë me qajtë…

Krivaça: Nuk e di…

Krasniqi:A ki nevojë prokurori i shtetit me dhënë sqarime?

Krivaça: Jo.

Kurse,  i akuzuari tjetër, Arbër Sejdiu deklaroi se e ka kuptuar aktakuzën me të cilën akuzohet.

E kur i akuzuari, Dardan Krivaça u pyet rreth fajësisë, ai tha se nuk thotë se është i pafajshëm, por do të mbrohet në heshtje në këtë fazë të procedurës penale.


Nuk po them se jam i pafajshëm veç nuk e di…

Avokati i Krivaqës: Nuk do të deklarohet në këtë fazë.

Kurse, i akuzuari tjetër, Arbër Sejdiu u deklarua i pafajshëm.

“E ndjej vetën të pafajshëm”, tha ai.

Prokurori i rastit, Valdet Avdiu  lexoi një pjesë të aktakuzës.

“I pandehuri, Dardan Krivaça më datën 21 gusht 2021 në banesën e tij në Rr. ‘Ramadan Rexhepi’ në Ferizaj pa pëlqimin e saj e detyruan të ndjerën, Marigona Osmani të kryej marrëdhënie seksuale e cila përcillet me tortura në atë mënyrë që fillimisht pa dëshirën e saj ka kryer marrëdhënie seksuale në sallon. Pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën e zhvesh e dërgon në banjo. Nga aty me dhunë e dërgon në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore si pasojë e dhunës së ushtruar humb aftësinë… E ku edhe në dy raste, në mbrëmje kryhen marrëdhënie seksuale pastaj të zhveshur e dërgon në banjo dhe ku i vërehen lëndimet  me çka krijohet vepër penale dhunimi… I pandehuri, Arbër Sejdiu më datën 21 gusht 2021 me dashje i ndihmon në kryeje të veprës penale ‘dhunimi’ në atë mënyrë që fillimisht kontaktojnë përmes telefonit dhe takohen në qytet pastaj së bashku kthehen në banesë i pandehuri Arbër posa mbërrin duke qenë në dijeni se i pandehuri Dardan është duke dhunuar tani të ndjerën Marigona Osmani me dashje”, thuhet në aktakuzë. 

Avdiu tha se të akuzuarit kishin tentuar t’i fshinin video-incizimet e kamerave që ishin të vendosura në banesën ku kishte ndodhur krimi.

“Të pandehurit, Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu më datën 22 gusht 2021  në banesën e të pandehurit, Dardan Krivaça në Rr. ‘Ramadan Rexhepi’ në Ferizaj me dashje dhe me bashkëkryerje me qëllim të fshehjes së veprës penale e privojnë nga jeta tani të ndjerën, Marigona Osmani  me të cilën i pandehuri i parë ishte në marrëdhënie jashtëmartesore. Nga ora 10:56 deri në orën 14:43 i pandehuri i parë merr një shkop dhe së bashku me të pandehurin e dytë hyjnë në dhomë me ç’rast të njëjtës i shkaktojnë lëndime të mëdha fizike dhe psikike ku nga goditja pëson politrauma, lëndime të shumëfishta  ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik të cilat janë pasojë e gjakderdhjes të jashtme dhe të brendshme nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme- mandibullës, pastaj thyerje e brinjëve klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, si dhe këputjes parciale të palcës së kurrizit në qafë, të njëjtit pastaj e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm në Emergjencën e Ferizajt dhe largohen nga aty”, u shpreh Avdiu.

Pas përfundimit të seancës gjyqësore, mbrojtja e familjes Osmani, Gazmend Rexhepi tha se gjendja e familjarëve të të ndjerës, Marigona Osmanit është e rëndë.

“Siç po shihet do të shkojmë me elaborim të provave dhe do të shohim çështjen deri në fund, sipas gjitha gjasave… Ata vetë i patë, njëjtë si deklarimi i fajshëm, si i pafajshëm gjendja e tyre  është e njëjtë, në gjendje të rëndë“, tha Rexhepi.

Para se të fillonte gjykimi ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, aktivistet e “Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist” protestuan para objektit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, ku kërkuan proces të drejtë gjyqësor.

Prokuroria Themelore në Ferizaj muajin e kaluar njoftoi se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiut.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, me datë 22 Gusht 2021, të pandehurit Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, me dashje dhe në bashkëkryerje e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje kryejnë veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Dardan Krivaça ishte arrestuar më 25 gusht 2021, kurse Arbër Sejdiu ishte arrestuar më 24 gusht 2021.

Lexo edhe

Video