​Kreu i EANA: Deri në ⅔ e mbulimit mediatik në Evropë buron drejtpërdrejt ose tërthorazi nga agjencitë e lajmeve

​Kreu i EANA: Deri në ⅔ e mbulimit mediatik në Evropë buron drejtpërdrejt ose tërthorazi nga agjencitë e lajmeve

Clemens Pig, president i Aleancës Evropiane të Agjencive të Lajmeve (EANA), dhe CEO i agjencisë austriake të lajmeve APA, ishte në panelin e konferencës së nivelit të lartë “Siguria e Gazetarëve: Mbrojtja e medieve për të mbrojtur demokracinë”, gjatë të cilës u diskutua zbatimi i planit të veprimit të OKB-së në epokën dixhitale.

Konferenca u organizua nga Ministria Federale për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare në Austri, me rastin e 10-vjetorit të “Planit të Veprimit të OKB-së për Sigurinë e Gazetarëve”.

Konferenca kishte për qëllim përmirësimin e zbatimit të planit të veprimit të OKB-së, parandalimin e sulmeve, mbrojtjen e gazetarëve në rrezik dhe vendosjen përballë përgjegjësisë të personave të përfshirë në sulmet ndaj gazetarëve, si dhe rritjen e angazhimit politik dhe burimeve, me qëllim përmirësimin e sigurisë së gazetarëve dhe shprehjen e këtij angazhimi në premtime konkrete.

Ne panel morën pjesë, CEO i APA, Clemens Pig, Irene Khan (raportuese speciale e OKB-së për Lirinë e Shprehjes), Nighat Dad (drejtoresha ekzekutive, Fondacioni për të Drejtat Digjitale), Iain Levine (këshilltar i lartë për të Drejtat e Njeriut, META) dhe Catherine Amirfar (përfaqësuesja e nivelit të lartë, Paneli i Ekspertëve Ligjor për Lirinë e Medias).

Diskutimi u drejtua nga Nik Gowing, themelues dhe bashkëdrejtor i “Thinking the Unthinkable” dhe ish prezantues i “BBC World News”.

“Çdo luftë është, në fazën e saj të hershme, një luftë ndaj informacionit, një luftë propagandistike. Në fillim të çdo lufte, së pari sulmohet media.Fillimisht, fiket drita demokratike, ne si media jemi fikur të parët”, tha Clemens Pig.

Pig solli në diskutim perspektivën e agjencive të lajmeve.


“Deri në ⅔ e mbulimit të përditshëm mediatik në të gjithë Evropën buron drejtpërdrejt ose tërthorazi nga agjencitë e lajmeve. Ne po punojmë në prapaskenë, jo shumë e njohur, por me ndikim maksimal në sistemin e medias dhe komunikimit”, tha presidenti i EANA, duke nënvizuar se Aleanca po përpiqet të bashkojë agjenci të ndryshme lajmesh dhe të veprojë si “Kombet e Bashkuara të agjencive të lajmeve”, tha Pig.

Clemens Pig theksoi gjithashtu disa nga sfidat me të cilat përballet Evropa në lidhje me sigurinë e gazetarëve.

“Mbrojtja e gazetarëve, përfshirë nga SLAPP-et (paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike), përmes ndërtimit të kornizave ligjore dhe duke ofruar situata të forta financiare, në mënyrë që media të vendosi vetë se çfarë është e denjë për mbulim editorial dhe çfarë jo”, shtoi ai.

“Institucionet evropiane kanë një rol të madh në marrëdhëniet ndërmjet agjencive të lajmeve dhe platformave, një tjetër aspekt i rëndësishëm që mund të garantojë financimin e nevojshëm për gazetarët e pavarur”, tha Clemens Pig.

Më tej, ai nënvizoi rëndësinë që ofruesit e platformave të paguhen për përmbajtjen e tyre, përfshirë të tilla si Facebook.

“Gazetarët duhet të paguhen për punën e tyre të rëndësishme, përmes një zinxhiri shumë të qartë të drejtash, tha Pig.

Clemens Pig përmendi gjithashtu rëndësinë e redaksisë evropiane dhe të zhvillimit të shërbimeve të verifikimit të fakteve nga agjencitë e lajmeve për rritjen e përgjithshme të pavarësisë dhe besueshmërisë së medias.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të moderatorit, Clemens Pig tha se roli i agjencive të lajmeve është nënvlerësuar totalisht në çdo plan, përfshirë edhe institucionet e OKB-së.

Lexo edhe

Video