​Krerët shtetërorë lavdërojnë punën e Policisë së Kosovës në 23-vjetorin e themelimit

Në shënimin e 23 vjetorit të themelit të Policisë së Kosovës krerët shtetërorë këtë institucion të sigurisë e konsideruan si histori suksesi për vendin, ndërsa kërkuan nga zyrtarët policorë që të jenë në krye të detyrës me nivelin më të lartë.

Në ceremoninë e shënimit të 23 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës u kujtuan edhe të gjithë policitë e rënë në krye të detyrës. E kjo ceremoni nisi me parakalimin  e gardës së Policisë së Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh se Policia e Kosovës është jo vetëm njërën nga hallkat më të rëndësishme të shtetit, por edhe historitë suksesi për vendin.

Derisa kujtoi të gjithë policët e rënë në krye të detyrës, shefja e shtetit tha se pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë mbrojtur  dhe mbikëqyrur kufijtë e Kosovës.

Ajo theksoi nevojën për anëtarësim në Interpol.

“Ju i keni shërbyer secilit qytetar pa dallim etnie e feje ose dallime të tjera,  e jeni gjetur pranë atyre dhe keni krijuar siguri për të jetuar të qetë në vendin tonë. Policia e Kosovës krahas partnerëve të tjerë është kujdesur po kështu që kufijtë e vendit tonë të mbrohen e të mbikëqyren e të jenë pika të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve e asnjëherë  pengesë e qarkullimit të tyre. Kësisoj ju keni ndihmuar në ruajtjen dhe forcimin e sovranitetin të Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës është e vendosur që të zhvilloj gjithnjë e më shumë strukturat e Policisë, të rris barazinë gjinore në të gjitha struktura e sigurisë. Duke ndihmuar Policinë pastaj qoftë me pajisje apo edukim profesional dhe me mbështetje të vazhdueshme në mënyrë që ajo të vazhdoj të mbetet garantues i qytetarëve dhe të integrohet gjithnjë e më shumë në organizmat ndërkombëtar të rendit dhe sigurisë. Kësisoj garantojmë jo vetëm sigurinë e qytetarëve, por bëhemi faktor i rëndësishëm edhe për ruajtjen e sigurisë ndërkombëtare, prandaj anëtarësimi në Interpol dhe organizata të tjera të kësaj fushe është shumë i rëndësishëm për arritjen e këtyre qëllimeve”, tha Osmani.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti iu bëri thirrje pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që të jenë në nivelin më të lartë të detyrës kudo në çdo rrugë e cep të vendi.

Shefi i qeverisë kosovare u shpreh se janë të vetëdijshëm për sfidat e këtij institucioni, prandaj edhe ofroi mbështetje për krijimin e një policie model që mund tu përgjigjet të gjitha situata.


Ai theksoi se integriteti moral dhe personal janë shtylla të domosdoshme për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

“Javën që shkoi ne u ballafaquam me një rast shumë të rëndë, një vajzë e mitur e cila do të duhej të ishte në bankat shkollore  në klasën e pestë apo gjashtë ndodhet në strehimore për shkak të një krimi që ndodhi mbi të nga 5 dhunues. Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private por çështje e sigurisë dhe mirëqenies publike sociale. Andaj,  nga ju pritet dhe kërkohet të jeni në nivelin më të lartë të detyrës tuaj kudo në çdo rrugë e çdo cep të vendit. Mbani me përgjegjësi detyrat tuaja ashtu siç edhe ne si qeveri i mbajmë përgjegjësitë tona ndaj jush dhe ndaj secilit qytetar të vendit. Trasoni rrugë lehtësisht të kalueshme për të gjithë por edhe për brezat e ri që do të vendosin të vazhdojnë rrugën tuaj. Për këtë kohë sa bashkëpunojmë ju keni dëshmuar se jeni të pakompromis në luftën që i keni shpall krimit dhe për këtë janë rezultate tuaja që dihen  jo vetëm në Kosovë  por botërisht nuk jeni ndal ndonëse nga bandat e ndryshme u janë drejtuar armët e ju janë shkrepur plumbat”, theksoi Kurti.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla nga ceremonia e shënimit të 23 vjetorit të Policisë së Kosovës u shpreh se do të punojnë të ngritët lartë puna dhe integriteti i këtij institucioni të sigurisë.

Sipas tij, tashmë zotimi për ndryshim po vërehet pasi edhe në pjesën veriore çdo ditë e më shumë po forcohet zbatim i rendit dhe ligjit.

“Një ndër sfidat kryesore të Policisë së Kosovës që nga themelimi është  shtrirja e sovranitetit e ligjshmërisë në çdo cep të Kosovës e në veçanti në veri të saj. Muajve të fundit së bashku jemi ballafaquar me tentativa të vazhdueshme të strukturave kriminale të udhëhequra drejtpërdrejt dhe të mbështetura fuqishëm  nga  Serbia për ta destabilizuar jo vetëm veriun e vendit. Zotimi ynë për ndryshim tashmë vërehet qartë e sidomos në pjesën veriore të vendit. Për çdo ditë e më shumë rendi e ligji po forcohet atje dhe veprimtaria e institucioneve në shërbim të qytetarëve po zgjerohet. Stabiliteti në vendin tonë do ta sigurojmë duke respektuar ligjet dhe praktikat më të mira… Policia e Kosovës me vendosmëri e guxim po ballafaqohet me grupet të tëra kriminale të çdo përkatëse etnike, i kemi shpall luftë drogës janë shkatërruar laboratorë e plantacione të saj, prodhimit ilegal të kriptovalutave dhe janë shkatërruar ato kudo që janë lokalizuar, kontrabandë dhe mallra me ç’rast janë konfiskuar me qindra e qindra tonelata mallra ilegale dhe janë mbyll 12 rrugë ilegale”, tha Sveçla.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti tha se zyrtarët policorë janë ballafaquar me sfida të ndryshme të cilat u janë përgjigjur gjithmonë pa hezitim.

Hoti theksoi se Policia e Kosovës në vazhdimësi po lufton grupet e organizuara kriminale, derisa u shpreh se edhe siguria e trafikut rrugor mbetet prioritet i tyre.

“Policia e Kosovës në vazhdimësi është duke luftuar grupet e organizuara kriminale dhe të kontrabandës dhe është duke u kujdesur për rendin dhe qetësinë dhe lëvizjen e lirë të gjithë qytetarëve në tërë territorin e Kosovës… Nga kjo ceremoni dua të ftoj të gjithë qytetarët që ta rrisin edhe më shumë bashkëpunimin me të gjithë policinë e Kosovës  sepse vetëm me bashkëpunim mund t’i rrisim qëllimet tona për sigurinë e vendit tonë. Kërkoj nga të gjithë punonjësit e Policisë së Kosovës të të gjitha niveleve të shërbejnë me profesionalizëm dhe integritet ndaj secilit qytetar në vendin tonë pa dallim sepse në mesin tonë nuk do të lejojmë që të ketë persona që cenojnë imazhin dhe reputacionin e Policisë së Kosovës”, u shpreh ai.

Më 6 shtator 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244 ka hapur Shkollën e Policisë dhe ka filluar trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës e cila gjeneratë numëroi 176  pjesëtarë. Aktualisht, Policia e Kosovës numëron rreth 9 mijë punonjës.

Lexo edhe

Video