​Krasniqi: Kurti po shpërfill qëllimshëm sakrificën e UÇK-së

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku në rend ditë është projektligji për pagën minimale. Kjo u paralajmërua edhe nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, para se të fillonte seanca ku edhe u votua Projektligji për pagën minimale.

Kransiqi tha se Qeveria e Kosovës përmes këtij projektligji po e bën padrejtësinë më të madhe duke mos i përfshirë veteranët e UÇK-së në këtë ligj.

“Në vend se të kishim sot debat për nivelin e pagës minimale për të vendosur pak më shumë drejtësi, qeveria ka vendosur që të bëjë padrejtësinë më të madhe e më të turpshme ndaj atyre që janë pjesë e dinjitetit tonë kombëtar e historik. Prandaj, injorimi dhe mos përfshirja e kompensimit të veteranëve të UÇK-së në ligjin për pagën minimale është një turp, pjesë e të cilit ne nuk do të bëhemi kurrë dhe do ta kundërshtojmë fuqishëm. Mbi këtë bazë, Partia Demokratike e Kosovës sot nuk do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit. Para se e njëjta të fillojë, dua që nga këtu t’i bëj thirrje edhe një herë qeverisë që ta kthejë prapa këtë projektligj dhe mos ta procedojë tutje për miratim”, theksoi kryetari i PDK-së.

Ai tha se në vend që të fokusohen në shqyrtimin e mundësive më të mira për përcaktim të pagës minimale, Qeveria në mënyrë të turpshme ka përjashtuar kategorinë e veteranëve nga ky ripërcaktim.


Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi tutje hodhi akuza karshi Qeverisë së Kosovës duke thënë se kryeministri Kurti me vetëdijë të plotë po e shpërfshillë lavdinë dhe sakrificën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Fatkeqësisht, kryeministri Kurti dhe qeveria e udhëhequr prej tij, me vetëdije të plotë është duke u përpjekur të shkëpusë kujtimin dhe nderimin e kësaj sakrifice. Qasja e kësaj qeverie në mënyrë të vazhdueshme e ka shpërfillur lavdinë dhe sakrificën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe këtë shpërfillje është duke e manifestuar edhe zyrtarisht. Me vendimin për të mos e përfshirë kontributin e veteranëve të UÇK-së në ligjin e ri që përcakton pagën minimale, Kryeministri Kurti është duke u përpjekur të lëkundë themelet e dinjitetit të këtyre burrave e grave, që janë më meritorët për lirinë që e gëzojmë sot. Kjo nuk është vetëm padrejtësi ndaj veteranëve, por edhe përpjekje për të tjetërsuar të vërtetën historike mbi të cilën qëndron themeli i lirisë dhe pavarësisë sonë”, tha ai.

Lidhur me protestat e paralajmëruar nga veteranët e UÇK-së për të kundërshtuar projektligjin e pagës minimale, Krasniqi u shpreh se këto çështje duhet të zgjidhen brenda institucioneve sepse nuk ka urgjencë.

“Ne besojmë qe këto çështje duhet të zgjidhen brenda institucioneve nuk ka asnjë arsye dhe urgjencë që qeveria të insistojë me kaq zell që ta kalojë këtë ligj diskriminues ndaj veteranëve por edhe ndaj kategorive të tjera siç janë persona me aftësi të kufizuara. Ky ligj tenton ta zhduk dialogun social dhe ky ligj tenton ta heq komplet nga ekzistenca Këshillin Ekonomik Social”, tha ai.

Përkundër që opozita nuk mori pjesë në votim, Kuvendi i Kosovës miratoi në parim Projektligjin për pagën minimale me votat e shumicës. /B.Ibishi/

Lexo edhe

Video