​KQZ miraton kërkesën e 6 partive për shtyrje të kuvendeve zgjedhore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme ka miratuar kërkesat e 6 subjekteve politike për shtyrjen e kuvendeve zgjedhore.

Valmira Selmani nga Zyra për Regjistrimin e Partive Politike u shpreh se arsyetimi për shtyrje afatit për zgjedhje të brendshme nga gjashtë parti politike ka qenë për shkak të situatës pandemike në vend.

“Zyra ka pranuar gjashtë kërkesa të partive politike për shtyrjen e afatit, arsyetimi ka qenë për shkak të gjendjes pandemike e cila nuk i lejon numrin e madh dhe grumbullimin e njerëzve dhe masave kufizuese. Zyra ka shqyrtuar edhe kërkesën e Këshillit për Çështje Ligjore, bashkangjitur kërkesat e partive politike dhe datat se deri kur kanë kërkuar për t’i shtyrë kuvendet zgjedhore, disa kanë kërkuar 2-3 muaj, disa kanë kërkuar edhe një afat pak më të gjatë ligjor për shkak të situatës që po mbizotëron në Kosovë”, theksoi ai.

Florian Dushi, anëtar i KQZ nga radhët e LDK, i cili përfaqëson Këshillin për Çështje Ligjore u shpreh se kërkesat e gjashtë subjekteve politike për shtyrje të afatit për mbajtje të kuvendeve zgjedhore janë të bazuara.

“Kërkesat që kanë ardhur nga subjektet politike dhe të cilat përmes ZRPP-së i kemi shqyrtuar në Këshillin për Çështje Ligjore shumica prej tyre përmbajnë edhe një datë dhe afat që e kanë përcaktuar me vullnetin e tyre sipas agjendave të tyre të parapara se kur apo cila datë do të jetë afati i fundit për mbajtjen e kuvendeve zgjedhore të këtyre subjekteve politike. […] Aleanca Kosova e Re ose AKR afati i fundit për mbajtjen e kuvendit zgjedhor ka qenë 31.12.2021 ndërkohë ka kërkuar afat deri më 25.02.2022. Subjekti i dyti politik Prokret Zupu i Dijasporu-Zupska afati i fundit ka qenë po ashtu 31.12.2021 dhe ka kërkuar afat deri më 31.05.2022. […] Dhe subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje afati i fundit 21 janar i vitit 2022 dhe ka kërkuar afat deri më 30 tetor të vitit 2022”, theksoi ai.

Gjatë kësaj mbledhjeje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është diskutuar edhe lidhur me vendimin e KQZ për pagesën e stafit të KQZ-së për rrezikshmërinë në punë nga pandemia COVID-19, lidhur me organizmin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Anëtari i KQZ-së nga PDK, Ilir Gashi u shpreh se ky vendim duhet të rishikohet.

“Ky vendim kam kërkuar që të rikthehet që të shikohet nëse ekziston ende në fuqi e drejta e njerëzve për të kërkuar kompensim shtesë sa i përket ligjit mbi pandeminë që ka miratuar Kuvendi, nëse ai ligj është shfuqizuar dhe ajo e drejtë nuk u mundësohet njerëzve sepse ne brenda një viti kalendarik kemi mbajtur dy palë zgjedhje të shkurtit dhe të tetorit dhe për mua më është dukur një lloj diskriminimi edhe sikur të jetë ai vendim që në kohë pandemie kanë punuar njerëz, edhe në shkurt, edhe në tetor dhe më është dukur e pakuptimtë që të kompensohet dikush për muajin shkurt se ka qenë pandemia dhe po të njëjtë mos të kompensohet për muajin tetor… Nëse ajo e drejtë ekziston, unë jam që ky vendim të rishikohet por nëse kjo e drejtë është konsumuar dhe ligji mbi pandeminë nuk është në fuqi konsideroj se ky vendim është i pazbatueshëm”, theksoi ai.


Kurse, Sami Kurteshi nga anëtar i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje u shpreh se gjithsesi që ky vendim duhet të rishikohet edhe në aspektin se a është në përputhje me vendimin e Qeverisë dhe arsye se përse nuk ka ndodhur ekzekutimi i këtyre pagesave deri më tani.

“Pajtohem që të shihet se ky vendim a është në përputhje me vendimin e Qeverisë se cilat profesione janë dalluar, ne e dimë që ka pasur profesione që kanë të bëjnë me kontaktin e drejtpërdrejtë me personat e prekur, mjekësia, policia po kanë qenë edhe disa institucione të tjera duhet të shihet se a është në përputhje me vendimin e qeverisë”, u shpreh ai.

Për anëtarin e KQZ nga Lëvizja Vetëvendosje, Alim Rama ky vendim duhet të anulohet krejtësisht.

Ndërsa, Florian Dushi nga LDK kërkoi të shihet se sa janë mundësitë buxhetore brenda KQZ-së për zbatim të këtij vendimi.

“Me pa se si është situata me buxhetin dhe mjetet sepse ne mund të marrim vendime këtu është shumë e thjeshtë, por nëse nuk kemi mbulesë buxhetore janë të kota, nuk e di pse ka mbetur ky vendim pa u zbatuar deri në ditët e sotme andaj unë po kërkoj që të dëgjojmë se pse ky vendim nuk është zbatuar”, theksoi ai.

Drejtoresha e Administratës në KQZ, Miradije Meha u shpreh se nuk kanë pasur mjete për të ekzekutuar pagesën për e stafit të KQZ-së për rrezikshmërinë në punë nga pandemia COVID-19.

“Sekretariati ka përgatitur shkresën duke u bazuar në ligjin për zgjedhje dhe në ligjin e buxhetit për vitin 2020 për buxhet shtesë për të bërë të mundur ekzekutimin e kësaj shume që ka qenë në vlerë prej 57 mijë e 600 euro kjo ka qenë e planifikuar për stafin e KQZ që kanë qenë 82 zyrtarë të angazhuar në KQZ për tre muaj janar, shkurt dhe mars ne nuk kemi marrë përgjigje në kërkesën tonë… Ne nuk kemi pasur mundësi për t’i ekzekutuar prej buxhetit tonë sepse nuk kemi pasur buxhet në pajtim me ligjin për buxhet për vetë faktin se i kemi dy palë zgjedhje dhe në fund të vitit kur ta bëjmë raportin e pasqyrave financiare do të shohim se kemi pasur buxhet për paga dhe mëditje në vlerë prej 78 mijë eurosh, arsyeja pse kemi pasur mungesë ka qenë se kemi paguar stafin që është angazhuar 40 orë në procesin zgjedhor”, tha ajo.

Ndërsa, në fund te diskutimi, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi propozoi që për këtë çështje të mos merrej ndonjë vendim sot por të diskutohet në ndonjë mbledhje të radhës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe zëvendësimin e anëtarëve të Kuvendeve Komunale në: Viti dhe Deçan, Malishevë dhe Prizren, dhe po ashtu ka miratuar edhe planin përfundimtar të prokurimit për vitin 2022.

Lexo edhe

Video