​Kosovarët s’mund të udhëtojnë drejt Spanjës as pas liberalizimit të vizave

Përkundër se më së largu prej datës 1 janar të vitit të ardhshëm shtetasit kosovarë mund të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen, kjo gjë nuk do të vlejë për udhëtime drejt Spanjës. Kjo është konfirmuar edhe nga Komisioni Evropian që ka thënë se shteti spanjoll nuk i njeh dokumentet e Republikës së Kosovës.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Christian Wigand, deklaroi sot (e premte) se liberalizimi i vizave për shtetasit kosovarë do t’iu mundësojë atyre të udhëtojnë lirshëm në të gjitha vendet përveç njërës, duke nënkuptuar për Spanjën.

“Në mesin e vendeve të Shengenit, të gjitha, përveç njërës, kanë njohur dokumentet e udhëtimit të Kosovës. Kjo do të thotë se liberalizimi i vizave do t’u mundësojë mbajtësve të pasaportave të Kosovës të udhëtojnë lirisht në të gjitha vendet, përveç në një vend të Shengenit…. Kështu që ju mund të imagjinoni se çfarë mund të ndodhë nëse arrini në aeroportin spanjoll”, deklaroi ai në interesimin e gazetarëve.


Spanja nuk kundërshtoi liberalizimin e vizave për Republikën e Kosovës, por për Komisionin Evropian njohja e dokumenteve mbetet çështje e brendshme e Spanjës.

Në të gjithë zonën Shengen vetëm Spanja nuk i ka njohur dokumentet e Republikës së Kosovës.

Gjatë kësaj jave, Parlamenti Evropian miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës – me çka edhe procedurat për këtë çështje i afrohen fundit. Po ashtu, një ditë pas miratimit në PE, u nënshkrua edhe akti ligjor, me të cilin Kosova hyn në listën e shteteve, të cilave nuk iu nevojitet viza hyrëse për në Shengen.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.