​Kontrabandim me migrantë, caktohet një muaj paraburgim për S.M

​Kontrabandim me migrantë, caktohet një muaj paraburgim për S.M

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar 30 ditë paraburgim për  S.M nga komuna e Suharekës, me dyshimin për kryerjen e veprës kontrabandim me migrantë.

Masa e paraburgimit  do të  llogaritet prej datës, 09.11.2020 deri më datën  09.12.2020.


“Pas seancës dëgjimore, Gjykata Themelore në Prizren ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktim të paraburgimit duke pasur parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, dhe të gjitha provat e arsyetojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri me datë 21.10.2020 rreth orës 07:55 minuta në Vërmicë merret me kontrabandim me migrantë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, në atë mënyrë që me automjet shkon në pikën kufitare në Vërmicë dhe aty pranon nëntëmbëdhjetë (19) shtetas të Sirisë, të cilët kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës pa dokumente të identifikimit. Kështu i pandehuri derisa ishte duke lëvizur me shpejtësi në autostradë në Prizren ishte ndaluar nga patrulla e Policisë, ashtu që i pandehuri po sa vëren Policinë i shmanget ndjekjes, del nga autostrada Prizren Jug dhe ik në drejtim të fshatit Vlashne, hyn në oborrin e një fshatari ndalon veturën dhe del nga vetura dhe ik në drejtim të panjohur”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Prizren.

Tutje në komunikatë thuhet se caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë sipas Gjykatës Themelore të Prizrenit është i bazuar në ligj dhe i arsyeshëm dhe se do të siguroi zhvillimin e papenguar të rrjedhës së procedurës hetimore dhe sigurimin e prezencës së të pandehurit.

“Gjykata Themelore në Prizren ka vlerësuar edhe masa tjera për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë penale, mirëpo ka ardhur në përfundim se në rastin konkret kjo  masë është më oportune dhe më e arsyeshme duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes, caktimi i paraburgimit është i arsyeshëm. Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Lexo edhe

Video