​Konjufca nuk e sheh të arsyeshme ndërprerjen e seancës

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë kërkuar që të mos vazhdojnë punimet e seancës plenare derisa nuk formohet komisioni hetimor parlamentar për çështjet e energjisë. Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka deklaruar që nuk është e arsyeshme karshi qytetarëve të Kovës që seanca e sotme të mbyllet dhe ka shtuar që punimet dehet të vazhdojnë me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pikën e votimit për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka deklaruar që nuk ka kuptim të vazhdohet me punimet e rregullta të seancës.

“Po iu lus të gjeni kurajon, vullnetin politik, mos vazhdoni më tutje me këtë seancë, ta themelojmë komisionin hetimor parlamentar dhe pastaj vazhdojmë krejt normalisht me pikat e reja të rendit të ditës”, ka thënë Tahiri.

Por sipas shefes së deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila nuk ka rrezik për cenim të demokracisë.

“Kam bindjen thua po flasim në dy gjuhë të ndryshme pa përkthyes në mes, për arsye se atë çfarë po flet shefi i grupit parlamentar të PDK-së ne po pajohemi me të gjitha kriteret por nuk po pajtohemi me faktin se si po transmetohet ‘kjo nuk ka ndodhur kurrë në këtë Kuvend’. Thua në Kosovë mënyrën si po e prezantoni demokracia është në rrezik, janë përkeqësuar të gjitha parametrat e demokracisë, a realisht në matjet ndërkombëtare po ndodh e kundërta”, ka thënë ajo.

Shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka përsëritur se deputetët e kësaj partie nuk janë nismëtar për formimin e komisionit.

“Grupi parlamentar i LDK-së nuk është nismëtar i formimit të këtij komisioni, kush jeni ju me caktu a është grupi parlamentar apo nuk është kur grupi parlamentar zyrtarisht deklaron që nuk është, çka është kjo sjellje arbitrare kështu, qysh interpretoni ju që grupi parlamentar i LDK-së është nismëtar kur zyrtarisht kryetari i grupit deklaron me mikrofon që nuk jemi nismëtar të krijimit të këtij komisioni, kush jeni ju me caktu që na jemi, është e palogjikshme, është e papranueshme”, ka thënë Gashi.


Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se pozita përmes kohëzgjatjes po mundohet të fsheh atë çka ka ndodhur në sektorin ne energjisë në vitin e fundit.

“Qytetari i Kosovës e sheh shumë qartë që jeni të frikësuar, jeni duke fshehur, po mundoheni përmes kohëzgjatjes me fsheh atë që ndodhur në vitin e fundit në energji, është fakt i njohur që janë ndarë para nga ky parlamentar për blerje dhe subvencionim në energji, dhe është fakt i njohur që ky parlament nuk ka marrë prapa një llogari ku janë shpenzuar ato para, si janë shpenzuar, çfarë ka ndodhur”, ka thënë ai.

E kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca nuk është pajtuar për ndërprerje të seancës.

“Konstatimi im është ky që unë konsideroj krejtësisht me këto qëndrime që i dëgjova të pafrytshme ndërprerjen e seancës. Krejt çka mund të bëj unë është t’i thërras kryetarët e grupeve parlamentare dhe ta dëgjoj në reprizë edhe njëherë këtë pozicionim tuajin por jo kësaj radhe në seancë plenare por në zyrën e kryetarit të kuvendit që pak bënë dallim sa i përket zhbllokimit të pozicioneve”, ka thënë ai.

Konjufca ka thënë se në një të ardhme të afërt mund të ftohen shefat e grupeve parlamentare në një takim në zyrën e kryetarit të Kuvendit dhe të kërkohet kompromis nga palët.

“Ta thërrasim në të ardhmen shumë të afërt një takim në mes grupeve parlamentare ku të kërkohet një farë zotimi për kompromis nga cilado qoftë palë. Sa i përket ditës së sotme është ta ndërprejmë seancë dhe të mos mirremi vesh, por nuk më duket fare e arsyeshme para qytetarëve të Kosovës. Krejt çka mund të bëjmë është të vazhdojmë me deklarimet jashtë rendit të ditës edhe ta trajtojmë po ashtu çështjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, konsideroj që është shumë çështje e rëndësishme për Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.

Por shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se për çështjen e gjyqtarëve të Kushtetueses duhet konsultim dhe sipas tij kjo nuk duhet të jetë në rend dite sot.

Lexo edhe

Video