​Konfiskimi i pasurisë së paligjshme prioritet për LVV, shoqëria civile skeptike për rezultatet

Lufta ndaj pasurimit të paligjshëm pritet të jetë ndër prioritet kryesore të qeverisë së re të Kosovës. Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu thotë se posa të formohet Qeveria Kurti 2 do të procedojnë Ligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme në Kuvendin e Kosovës dhe për këtë pret mbështetjen edhe nga opozita.

Por, përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se ndryshimet në këtë ligj mund të jetësohen vetëm pasi të ketë përfunduar procesi i vettingut në Kosovë.

Haxhiu thotë se me këtë ligj synohet fuqizimi i pakos ligjore për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

Sipas saj, ideja është që përmes këtij ligji të ri barra e provës vendoset tek personi i dyshuar edhe pa kryer vepër penale.

“Kjo pako ligjore duhet të fuqizohet. Në kohën kur kam qenë ministre e Drejtësisë patëm punuar goxha shumë në një koncept dokument, pra ideja është që ta kemi një ligj ku barra e provës vendoset tek personi i dyshuar dhe ku jo domosdo duhet ta kryesh një vepër penale në mënyrë që pastaj të dënohesh, pastaj të nis procedura e konfiskimit të pasurisë. Por nëse shohin institucionet që një zyrtar ka pasuri në shpërputhje me të ardhurat që i ka atëherë të fillojë procedura e justifikimit të pasurisë. Në mënyrë që nëse një zyrtar nuk arrin ta justifikojë pasurinë që e ka atëherë e njëjta t’i konfiskohet. Unë besoj që në rrethanat me të cilat po kalojmë si vend, ku pengesa për zhvillimin ekonomik lidhet me krimin dhe korrupsionin, e vetmja rrugë për të dëshmuar që kemi luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe jo vetëm për së brendshmi për t’u zhvilluar por që Kosova të shihet ndryshe nga vendet tjera që e mbështesin Kosovën padyshim është fuqizimi i pakos ligjore, dhe në anën tjetër edhe institucioneve përgjegjëse”, tha ajo.

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje thotë se menjëherë porsa të vijnë në qeveri do krijohet grupi punues për këtë ligj dhe menjëherë do procedohet drejt Kuvendit të Kosovës.


“Menjëherë do krijohet grupi punues dhe do e adresoj këtë projektligj dhe më tutje do e procedoj në Kuvendin e Kosovës. Unë uroj shumë që i njëjti të marr mbështetjen e Kuvendit të Kosovës dhe jo vetëm nga mazhoranca, nga Vetëvendosje dhe nga ata që do jenë në koalicion, por po them që është e rëndësishme që edhe opozita të jap sinjalet e veta që përnjëmend është e interesuar që të kontribuojë në adresimin e pakos ligjor kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, deklaroi Haxhiu.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, shprehet se Kosova ka kornizë mjaftë të avancuar lidhur me sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar me aktivitet kriminal.

Sipas tij, vetëm pas procesit të vetting-ut kjo iniciativë e LVV-së do të mund të jetësohej.

“Pjesa tek konfiskimi i pasurisë në këtë fazë është vetëm një fushatë pas fushate, por që në praktikë është pothuajse i pazbatueshëm dhe i parealizuar. Pasi në radhë të parë kjo bie në kundërshtim me marrëveshjen për Stabilizim Asociim që e ka Kosova me Bashkimin Evropian. Pika e dytë është se Kosova ka një kornizë ligjore mjaftë të avancuar sa i përket konfiskimit dhe sekuestrimit të pasurisë të fituar përmes veprave penale, dhe pjesa e tretë është që Kosova gjithmonë ka vuajtur për mungesë të vullnetit politik dhe zbatimit të ligjit në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe të pavarur. Mënyra se si po proklamohet nga zotëri Kurti për t’u konfiskuar pasuria nënkupton që barra e provës të mos jetë më tek institucionet e drejtësisë, por të jetë tek qytetari, dhe në këtë drejtim nëse ky ligj nesër miratohet duhet të jetë një vijë prerëse se kur do të fillojë të zbatohet. Në këtë drejtim me një sistem të drejtësisë i cili është politikisht jashtëzakonisht i ndikueshëm, që varet nga grupet e interesit atëherë pa pasur një vetting dhe pa e pastruar këtë sistem të drejtësisë është shumë herët të fillohet me një iniciativë të tillë”, u shpreh Miftaraj.

Por ndryshe mendon Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës. Sipas tij ligji që po e prezanton Lëvizja Vetëvendosje është i ashpër, por me disa ndërhyrje të vogla mund të bëhet edhe lehtë i aplikueshëm.

“Konsideroj se është një ligj që është goxha kërkues edhe shoqëria civile për një kohë të gjatë ka kërkuar që të kemi një ligj të tillë i cili do t’i bënte më aktive në kuptimin e pasurisë së paligjshme nga ana e gjykatave. Unë po konsideroj që edhe ligji aktual nuk ka ndonjë problem shumë të madh, por ne problem e kemi me gjyqtarë dhe prokurorë të cilët mendohen ose mundohen që sa më pak të marrin apo konfiskojnë pasuri. Kështu që nëse do ishte një ligj ashtu siç e premton Lëvizja Vetëvendosje konsideroj se është një ligj goxha i rreptë por me disa ndërhyrje të vogla mund të bëhet shumë i mirë dhe mund të aplikohej shumë lehtë edhe në Kosovë e të kemi sukses në këtë fushë sidomos tek pasuria e kundërligjshme”, u shpreh Spahija.

Lexo edhe

Video

error: