​Komuna e Vushtrrisë ndan 156 mijë euro për 1 mijë e 300 fëmijët e sapolindur

Komuna e Vushtrrisë ka ndarë nga 120 euro për 1 mijë e 300 foshnjat që kanë ardhur në jetë në këtë qytet. Kjo nismë që ka nisur të implementohet nga janari i vitit 2020 i ka kushtuar buxhetit të komunës 156 mijë euro dhe qëllimi i saj është që t’iu dalë në ndihmë familjeve që bëhen me fëmijë.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Vushtrrisë, Bujar Pllana, thotë se si komunë janë të lumtur që po arrijnë t’iu dalin në ndihmë sadopak prindërve me rastin e ardhjes në jetë të fëmijëve të tyre.

“Projekti për fëmijët e porsalindur nga Komuna e Vushtrrisë që ka filluar nga viti 2020 është 1 mijë e 300 fëmijë që kanë aplikuar për shumën 120 euro dhe në total shuma e tyre është 156 mijë euro[…] Kjo shumë nuk është krejt e mjaftueshme, por disa shpenzime elementare i mbulon”, thotë ai.

Froni është një nga fëmijët që ka ndjerë kujdesin e komunës në të cilën ka lindur. Nëna e tij, Albana Maxhuni, thotë se dhurata që kanë marrë nga Komuna e Vushtrrisë për djalin e sapolindur ka qenë shumë e mirëpritur.


“Froni ka lindur më 17 janar 2020, vit ky i cili ka qenë vit me fat për fëmijët e lindur në Vushtrri, kjo pasi që në këtë vit Komuna e Vushtrrisë me kryetarin z.Xhafer Tahiri kishte ndarë mjetet buxhetore për një dhuratë simbolike për fëmijët e porsalindur në shumën 120 euro. Ka qenë mjaftë e mirëpritur nga ne si prindër dhe jemi falënderues ndaj komunës dhe kryetarit, pasi që siç e dimë të gjithë ardhja në jetë e një fëmije sado që është shumë e gëzueshme gjithashtu ka edhe shpenzime mjaftë të mëdha dhe një shumë sado simbolike që të jetë nga Komuna është një ndihmë e cila paraqet një lehtësim të madh për prindërit. Kështu që, mendoj që ky vendim apo ky veprim i kryetarit është një shembull shumë i mirë i cili duhet ndjekur edhe nga komunat e tjera të Kosovës”, thotë ajo.

Albana ndërsa falënderon Komunën e Vushtrrisë për dhuratën që djali i saj ka marrë, tregon se çka ka arritur të blejë me 120 euro.

“Ne me atë shumë kemi blerë një dollap për rrobat e djalit, kështu që ka qenë e mjaftueshme sa për të kryer një obligim i cili ka qenë i nevojshëm”, shprehet ajo.

Komuna e Vushtrrisë është ndër komunat e para që ka nisur përkrahjen e fëmijëve të sapolindur me nga 120 euro.

Lexo edhe

Video