​Kompanitë hasin në pengesa gjatë eksportit në Serbi, opozita kërkon reciprocitet

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari thekson se Kosova nuk është duke u përfaqësuar ashtu siç duhet në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA).

Ministrja Hajdari duke folur në debatin publik “Barrierat tregtare mes Kosovës dhe Serbisë”, të organizuar nga Komisioni për Ekonomi e mbështetur nga KDI, deklaroi se janë marrë disa masa antidamping karshi produkteve serbe që importohen në Kosovë.

Ajo ka treguar se kanë dërguar letër-shkresë si MINT në Sekretariatin e CEFTA-s për adresimin e drejt të Kosovës, në këtë rast për të larguar UNMIK-un në përfaqësim.

“Është një proces që pret për ndërmarrjen e veprimit dhe për adresimin e letrës drejtuar nga Republika e Kosovës në Komitetin drejtues të CEFTA-s që Kosova të përfaqësohet si shtet e jo përmes UNMIK-ut. Këtë letër mund ta keni edhe ju si kopje e cila pritet që të adresohet. Kjo është sa i përket çështjes bilaterale. Kemi edhe problemin tjetër që është përmes mekanizimit rajonal RÇ, ku aty kemi zakonisht çështjen e mosnjohjes së diplomave dhe certifikatave. Sidoqoftë negociatat për njohjen reciproke profesionale janë duke vazhduar në kornizën e RCC-së dhe CEFTA-s, por që pa sukses ende”, theksoi Hajdari.

Në diskutimin publik përfaqësuesja e KDI-së, Violeta Haxholli ka thënë se pavarësisht se tani nuk ka reciprocitet të plotë tregtar ndaj Serbisë, kompanitë kosovare vazhdojnë të hasin në sfida gjatë eksportit të produkteve në Serbi.

Derisa theksoi se KDI në raportin e saj ka evidentuar dhe njëkohësisht iu ka rekomanduar institucioneve, që çështja e temës së reciprocitetit me Serbinë të mos bëhet çështje e politike, pasi që siç u shpreh Haxholli, pastaj po mungon përkrahja ndërkombëtare.

“Tani kemi një qeveri të re nga muaji prill i këtij viti, e cila deklaruar do të vendoset reciprociteti tregtar me Serbinë, megjithatë ende nuk kemi ndonjë vendim sa i përket kësaj çështje… Ajo çfarë ne si KDI, kemi evidentuar në këtë raport, edhe njëkohësisht iu rekomandojmë institucioneve, është që kjo temë të mos bëhet temë e përplasjeve politike, spektri politik duhet të gjejë një konsensus sa i përket raporteve Kosovë-Serbi. Ne kemi parë që në mungesë të konsensusit ne të mos kemi as përkrahje ndërkombëtare për masat tregtare të cilat i kemi marrë ndaj shtetit serb. Dhe gjithashtu kjo temë nuk duhet të politizohet… Serbia ka aplikuar për një kohë të gjatë me barriera dhe masa tregtare ndaj Kosovës, të cilat fare nuk i ka shpallur, por ata janë në terren”, theksoi ajo.

Duke iu përgjigjur Haxhollit, ministrja Hajdari tha se është mirë të veçohen edhe përpjekjet e ministrisë së MINT në raport tregtar me rajonin dhe po ashtu me Serbinë, e jo vetëm të thuhet që Qeveria Kurti nuk ka vendosur masën e reciprocitetit.

“Është mirë të flitet dhe për punët e mira, e jo vetëm ajo se Qeveria Kurti nuk ka vepruar me reciprocitet. Unë reciprocitetin e shoh në çdo aspekt, nuk është vetëm për çështje tregtare. Kjo ka të bëj edhe si në përfaqësimin e Kosovës në politikë, si në transport, si në çdo sektor tjetër Kosova duhet të jetë e barabartë”, theksoi Hajdari.

Drejtori i Doganës, Agron Llugaliu tha se përveç moszbatimit të IBM-së ose Marrëveshjes së Integruar të Kufirit, Kosova përballet edhe me pengesa të shumta nga autoritetet serbe, siç potencoi ai edhe me imponimin e dokumenteve nga strukturat paralele.


“Përveç këtyre pengesave për mosnjohjen e dokumenteve, që imponon dokumente të strukturave paralele që Serbia i aplikon për tregtinë e Kosovës, është me rëndësi të theksojmë edhe faktin logjistik që përmendi ministrja… Gjithashtu kemi probleme transitet që kalojnë përmes Serbisë dhe që vijnë nga vendet e treta, por edhe për eksportet tona që shkojnë në vendet e treta. Shpesh autoritetet serbe nuk e njohin Kosovën si territor të ndarë dhe për këtë kërkojnë të bëhen procedura sikur importi të kishte ndodhur nga ose në Serbi”, tha ai.

Kryetari i Komisionit, Ferat Shala u shprehet i habitur nga partia në pushtet që dikur ka rrokullisur kamionët me mallra serbe dhe nuk vendos reciprocitetin e premtuar.

“Sa i përket pritjeve tona për reciprocitetin, me thënë të drejtën kur iu shoh prej juve disave që keni qenë duke i përmbysur kamionët atje, unë kam pritë, seriozisht kam pritë. Ku rrokullisshi kamionë, mos pini ujë, dimër e ftohet keni qëndruar në barrikada kundër produkteve serbe dhe sot nuk shkoni andej hiç dhe shikoni rrugë alternative. Prandaj, edhe kjo pritje e jona është e natyrshme. Na keni proklamuar, keni demonstruar, thyer dhe demoluar për reciprocitetin, tash kur i keni krejt përgjegjësitë institucionale, po thoni pritni pak ta shkruajmë një letër. Qe 8 muaj ditë e keni shkruar një letër CEFTA-s. Këtë e mbështesim, ama qe tetë muaj ditë në qeveri një letër e keni çuar”, tha Shala.

Ndërsa, kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi theksoi se të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare kanë qenë të dëmshme për Kosovën.

Krasniqi ka thënë se kjo Odë ka kërkuar largimin e Kosovës nga CEFTA. Derisa ka kërkuar ndryshimin e politikave tregtare për të pasur prodhimtari dhe rritje të mirëqenies.

“Ne si Odë e Afarizmit kemi kërkuar që Kosova të rinegociojë marrëveshjen e CEFTA-s dhe të shkojë atje si shtet e jo në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, si UNMIK siç është duke ndodhur. Në rast se kjo nuk arrihet, ne kemi kërkuar që Kosova të largohet nga CEFTA, sepse edhe ashtu raportet e të bërit biznes në mes nesh dhe këtyre shteteve janë në dëm të Kosovës në përgjithësi. 90 përqind importojmë nga këto vende. Po ashtu ne kërkojmë nga Dogana që të përdorë reciprocitet dhe jo të krenohet me shpejtësi, por edhe me vonesa të jashtëzakonshme ndaj vendeve që përdorin reciprocitet ndaj neve, sidomos ndaj Serbisë dhe pengesave tarifore dhe jo tarifore… Në përgjithësi marrëveshjet tona ndërkombëtare kanë qenë të dëmshme. Të gjitha marrëveshjet që i ka nënshkruar Kosova kanë ndikuar në rritje të importit dhe jo në rritjen e eksportit. Me CEFTA nuk janë mbrojtur produktet, ashtu edhe me MSA-në, si dhe me Turqinë”, theksoi Krasniqi.

Ndërsa, kryetari OEK, Berat Rukiqi, ka thënë se çështja e raporteve tregtare me Serbinë është shumë më specifike se sa me vendet e tjera për shkak të konotacionit politik.

“Shumica e barrierave apo sfidave të këmbimeve tregtare me Serbinë kanë konotacion politik. Sfondi i shumë veprimeve nuk është tregtar, nuk është për shkak se ne po rrezikojmë ndonjë sektor në Serbi me konkurrencë, por në rastin e Serbisë janë veprime administrative dhe veprime politike të tyre”, theksoi ai.

Kurse deputeti Pal Lekaj nga AAK ka kërkuar nga qeveria aktuale që të mos flasë për historikun 20-vjeçar për raportet tregtare me Serbinë, por të veprojë karshi pengesave që janë duke u bërë nga Serbia.

“Mos të flasim për histori këtu nga ekzekutivi dhe mos të kthehemi në periudhën, thuajse 20 vjet asgjë nuk ka ndodhur dhe thuajse Kosova po lulëzon tani me ardhjen e Qeverisë Kurti. Është për të ardhur keq që nuk kanë memorie institucionale. Ne mund të flasim sa të doni sa i përket barrierave dhe reciprocitetit ndaj Serbisë. Por ne duhet të pajtohemi që ne nuk kemi ingirenca që të përzihemi në një shtet tjetër që s’na njeh, përpos vijës së Brukselit. Dhe ajo vijë duket se na ka vendosur në një qorrsokak dhe thuaja se ne jemi fajtor, e jo Serbia që po na i qet të gjitha këto pengesa”, tha ai. /I. Shabani/

Lexo edhe

Video

error: