​Komisioni për Integrime Evropiane miraton projektligjin për rishikim të buxhetit

​Komisioni për Integrime Evropiane miraton projektligjin për rishikim të buxhetit

Komisioni për Integrime Evropiane me 6 vota për ka miratuar projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

Kryetarja e Komisionit, Rrezarta Krasniqi, rekomandoi që i njëjti të miratohet pasi që tha se nuk ka ndonjë mospërputhje me legjislacionin e BE-së.

“Qëllimi i këtij projektligji është që të ndryshohet dhe plotësohet Ligji mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021. Siç e keni parë, ky projektligj përmban gjithsej 14 nene dhe 35 amendamente të komisionit funksional. Bazuar në fushëveprimtarinë e komisionit ne jemi përgjegjës për shqyrtimin e të gjitha projektligjeve nga aspekti i përputhshmërisë së tyre me legjislacionin e BE-së, prandaj si të tillë mund ta rekomandojmë për miratim të mëtejmë duke pasur parasysh se ky projektligj, amendamentet e komisionit funksional nuk  transfuzojnë ndonjë legjislacion të BE-së”, tha ajo.


Deputetja e AAK-së Time Kadrijaj, tha se si parti politike kanë kundërshtimet e tyre për shkak se shumë projekte të komunave janë dëmtuar nga ky rishikim i buxhetit.

“Meqenëse buxheti trajtohet vetëm në aspektin e përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së nuk kemi ndonjë kundërshtim. Por, me buxhetin ne si opozitë edhe si grup parlamentar kemi kundërshtimet tona, se konsiderojmë se është një buxhet politik dhe që  komunat janë dëmtuar tepër me këtë rishikim të buxhetit me projekte. Andaj ne do të abstenojmë”, tha ajo.

Mbledhja e komisionit ka nisur me një minutë heshtje, në nderim të personave të vdekur në aksidentin e djeshëm.

Lexo edhe

Video