​Kërcënimi me sulm shtyn policinë të kontrollojë hyrje-daljet nëpër spitale

Policia e Kosovës nga orët e hershme të mëngjesit të sotëm është duke kontrolluar pothuajse të gjitha automjetet në hyrje të spitaleve në të gjithë vendin. Njëjtë ngjau edhe në spitalin e përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri” në jug të Mitrovicës, ndërsa e njëjta gjë po ndodhë edhe në veri të këtij qyteti.

Derisa nga policia në jug të Mitrovicës nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, ka bërë të ditur për KosovaPress se bëhet fjalë për një kërcënim të mundshëm me sulm ndaj personave në oborret spitalore, pa precizuar saktë lokacionin.

Sipas tij, Drejtoria Rajonale e Policisë në veri ka ndërmarr të gjitha masat preventive me qëllim të parandalimit të një sulmi të mundshëm.


Ai shtoi se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës sigurisht se do të detektojë personin që ka kërcënuar, dhe këto masa do të mbeten në fuqi, derisa një situatë e tillë nuk sqarohet plotësisht.

“Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e policisë Mitrovicë – veri, ashtu si edhe të gjitha regjionet tjera në nivel vendi, kanë pranuar një informacion, një kërcënim të mundshëm nga një person ende i paidentifikuar, se i njëjti me gjasë do të sulmojë dikë nga personat në oborret e qendrave spitalore në nivel vendi. Edhe përkundër faktit se ky informacion nuk është precizuar saktë se për cilin objekt shëndetësor po flitet ose për cilin lokacion, Policia e Kosovës, përkatësisht edhe ne në Drejtorinë Rajonale të veriut kemi ndërmarrë masat preventive me qëllim të parandalimit të mundshëm. E kuptojmë se ka pasur shqetësime tek qytetarët por edhe tek personeli mjekësor për masat të cilat janë ndërmarr, mirëpo pas një komunikimi me ta ju është shpjeguar se çfarë është qëllimi policor parandalues, dhe kemi pasur një bashkëpunim dhe mirëkuptim edhe me stafin mjekësor, por edhe me qytetarët të cilët në mënyrë selektive edhe janë kontrolluar për çështje preventive. Sidoqoftë, lidhur me rastin, Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria e përgjithshme e Policisë do të detektojë sigurisht personin në fjalë, dhe derisa një situatë e tillë nuk sqarohet këto masa mbesin në fuqi”, ka thënë Hoti.

Ndërsa, në anën tjetër, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nga Prishtina la të kuptohet se pjesëtarë të policisë po qëndrojnë nëpër spitalet e Kosovës në mënyrë që të mos lejohet edhe hyrja e më shumë se një shoqëruesi për pacient në institucionet shëndetësore në mënyrë që të njëjtat të mos shndërrohen në vatër të virusit.

Lexo edhe

Video

error: