​Joseph për KosovaPress: Takimi i Berlinit s’do të ndryshojë shumë dinamikën e dialogut

​Joseph për KosovaPress: Takimi i Berlinit s’do të ndryshojë shumë dinamikën e dialogut

Takimi në Berlin ishte i rëndësishëm në “thyerjen e akullit” pas rritjes së retorikës armiqësore midis Serbisë dhe Kosovës. Me një takim të tillë, si Kurti ashtu edhe Vuçiq u vunë në pozitën që duhej të ndryshonin gjuhën e tyre dhe të shprehnin një qëndrim pozitiv në parim ndaj dialogut të udhëhequr nga BE-ja, kështu thotë për KosovaPress Edward P. Joseph, profesor në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington.

Takimet maratonike që u zhvilluan në Berlin më 4 maj, që në fokus kishin dialogun mes Kosovës dhe Serbisë u komentuan si hap përpara drejt rritjes së dinamikës në procesin e dialogut në mes dy vendeve.

Por, profesori Edward P. Joseph thotë për KosovaPress se në thelb nuk pret shumë ndryshim në dinamikën e këtij procesi edhe pas këtyre takimeve.

“Në thelb, nga ky takim unë shoh pak ndryshim në dinamikën e zhvillimeve të dialogut. Njerëzit harrojnë se dinamika në dialog ishte e vështirë edhe para se Kurti të bëhej kryeministër për herë të dytë. Bisedimet kishin dështuar kur Hoti ishte kryeministër, menjëherë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit, kur Beogradi u angazhua në një gjuhë shumë provokuese që në dukje ishte krijuar për të parandaluar përparimin” tha ai.

Sipas tij, në çdo rast, është e qartë se dialogu, si një mjet hap pas hapi për përparim, është kryesisht i pafuqishëm, sepse shton ai, po shihet që edhe çështja e targave është e lidhur në çështjen gjithëpërfshirëse të sovranitetit mbi Kosovën.

Në janar të këtij viti Shkolla e Studimeve Ndërkombëtare të Avancuara të Universitetit “John Hopkins” dhe “Woodrow Wilson Center” – një nga institucionet prestigjioze akademike në Amerikë, përmes raportit “Nga kriza në konvergjencë – strategjia për luftën kundër jostabilitetit në Ballkan në burimin e saj” ofroi disa propozime për të mundësuar zhbllokimin e mosmarrëveshjeve në procesin e dialogut.


Profesori Edward P. Joseph e udhëhoqi ekipin e studiueseve për hartimin e këtij raporti dhe nga kjo përvojë thotë se problemi i vërtetë në dialog është strukturor.

“Serbia ka avantazhin e levës ndaj Kosovës. Ne e kemi shpjeguar në janar të këtij viti me raportin tonë të, SAIS dhe Qendra Wilson, ‘Nga kriza në konvergjencë’. Mosmarrëveshja është bllokuar sepse katër vende të NATO-s – Greqia, Sllovakia, Spanja dhe Rumania – nuk e njohin Kosovën. Nëse do ta njihnin Kosovën, atëherë bllokada e Serbisë ndaj Kosovës, e mbështetur nga Rusia dhe Kina, do të ishte në thelb e pakuptimtë. Në vend të kësaj, Serbia do të kishte më në fund një arsye për të negociuar kushte demokratike dhe të drejta për njohje, pasi nuk mund ta izolonte më Kosovën”, tha ai.

Për të avancuar dialogun, sipas tij rruga përpara mbetet nëse katër anëtarët e NATO-së që nuk e kanë njohur Kosovën të mund të ecin përpara drejt njohjes.

“Për shembull, duke e futur Kosovën në ‘Partneritetin për Paqe’ të NATO-s. Rruga e ‘Konvergjencës’ që rekomanduam në raportin tonë, mbetet çelësi për zgjidhjen përfundimisht të mosmarrëveshjes mbi Kosovën dhe lejimin e rajonit të ecë përpara”, tha ai.

Ndryshe, profesori Edward P. Joseph i dha këto komente për KosovaPress-in duke e reflektuar opinionin e tij rreth takimeve që u zhvilluan në Berlin dhe mundësinë e përshpejtimit të dinamikës në procesin e dialogut Kosovë – Serbi i udhëhequr nga BE dhe i mbështetur nga ShBA-të. Të mërkurën ( më 04 maj 2022) në Berlin, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuiqiq u pritën në takime të ndara nga kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz, dhe në mbrëmje patën një darkë joformale me emisarin e BE-së për dialogun Miroslav Lajqak.

Perëndimi ka shtuar përpjekjet që t’i shtyjë të dyja palët drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, për ta shmangur rrezikun ndaj sigurisë në rajonin e Ballkanit si rrjedhojë e sulmit brutal të Rusisë ndaj Ukrainës.

Lexo edhe

Video

3 Comments

Komentet janë të mbyllura.