​Jashari pas homazheve në Prekaz: Kemi shumë punë për të forcuar shtetin

Bekim Jashari, djali i heroit të kombit Hamëz Jashari, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Në këtë mënyrë ish-kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, i shoqëruar nga deputetë e asamblistë, kujtoi sakrificën më sublime të dëshmorëve.

Me këtë rast ai tha se liria që gëzojmë sot erdhi pikërisht si rezultat i luftës së UÇK-së dhe sakrificës së popullit të Kosovës.


“Ne sapo bëmë homazhe, nderime së bashku me deputetë, asamblistë, qytetarë dhe bashkëpunëtorë veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke nderuar dhe kujtuar të kaluarën duke i nderuar dëshmorët që falë tyre dhe sakrificës së gjithë popullit tonë, në krye me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës arritëm që ne te jemi të lirë, të kemi shtetin tonë, institucionet tona”, tha Jashari.

Ai tha se ka ende shumë punë për ta forcuar Kosovën.

“E që kemi shumë obligime dhe punë për të ndërtuar e forcuar Kosovën tonë të dashur ashtu siç është edhe amaneti i dëshmorëve”, tha ai.

Gjatë ditës së sotme më Prekaz kanë bërë homazhe edhe tre krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj së bashku me zyrtarë dhe ushtarë të FSK-së si dhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura.

Lexo edhe

Video