​Ismaili premton ndërtimin e spitalit të Prishtinës

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Uran Ismaili ka premtuar ndërtimin e spitalit të Prishtinës.

Në një konferencë për medie, pretendenti për të parin e Prishtinës, Uran Ismaili tha se puna për ndërtimin e këtij spitali e ka nisur qysh kur ka qenë ministër i Shëndetësisë dhe si projekt do të nis ndërtimin në vitin e parë të qeverisjes dhe do të përfundojë deri në vitin 2024.

Ai ka treguar edhe për kapacitetet që do ketë ky spital.

“Realizimi i këtij projekti që është një e drejtë për qytetarët e Prishtinës që ta kenë spitalin e tyre mbetet njëri nga prioritetet e mia kryesore. Punën që kam nisur si ministër i Shëndetësisë synoj ta përfundoj si kryetar i komunës në mënyrë që Prishtina ta ketë një spital modern  një spital shumë funksional dhe të përmbush ato kërkesat dhe të drejtën e qytetarëve të Prishtinës që ta kenë spitalin tonë. Duke treguar që projekti është i gatshëm gjatë fizibilitetit janë treguar edhe kapacitetet që spitali  i Prishtinës duhet t’i ketë. Pra spitali do ketë 200 shtretër, 4 dhoma të operimit dhe 54 dhoma të intervenimit dhe do ketë më së paku 200 profesionistë shëndetësore”, tha Ismaili.


Ismaili tha se përkundër që ekziston projekti I detajuar dhe studimi i fizibilitetit ende nuk ka spital Prishtina.

“Më 4 prill të vitit 2019, atë kohë si ministër i Shëndetësisë, kam nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit që filluar realizimin e  ndërtimit të Spitalit të Prishtinës.  Si rezultat i kësaj është arritur vlerësimi[…]që me ndihmën e ekspertizës gjermane është bërë studimi i nevojave dhe vlerësimit të kapaciteteve, si dhe është bërë hartimi i projektit detal për Spitalin e Prishtinës.  Prishtina edhe pse sot ekziston studimi i fizibilitetit edhe pse ekziston projekti detal prapë se prapë është pa spitalin e saj dhe qindra  e mijëra prishtinas duhet të kalojnë ende në QKUK  në nivelin terciar për të marr shërbimet e tyre”, theksoi pretendeti për të parin e Prishtinës.

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga PDK, Uran Ismaili në këtë konferencë për medie tha se mungesa e spitalit po i detyron prishtinasit që të marrin shërbime në spitale private dhe kështu po rëndohet xhepi i tyre.

“Mungesa e spitalit të Prishtinës detyron qytetarët e Prishtinës që të marrin shërbime të shtrenjta në spitale private, duke ia rënduar xhepin e tyre. Po ashtu,  mungesa e ndërtimit të spitalit të Prishtinës rëndon edhe profesionistët tanë shëndetësor  sepse shumë nga ta do të mund të  gjenin punë si profesionistë shëndetësor në Spitalin e Prishtinës dhe kështu rritej kapaciteti i profesionistëve shëndetësor në anën tjetër të jepen shërbime më të shpejta shëndetësore”, tha ai.

Pretendenti i PDK-së për të parin e kryeqytetit ndër të tjerashtha se ndërtimi i Spitalit të Prishtinës do të shkurtonte listat e pritjes për qytetarët e Prishtinës dhe do të përshpejtonte shërbimet shëndetësore për të cilat kanë nevojë qytetarët e Prishtinës.

Lexo edhe

Video