Koordinatori i Qendrës për Demokraci dhe Arsim – Lugina në Bujanoc, Agon Islami beson që është momenti i fundit që çështja e shqiptarëve të Luginë të Preshevës të trajtohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Islami marrëveshjen e diskutuar në mes palës kosovare dhe serbe në takimin e fundit në Bruksel e konsideron si bazë të mirë për arritjen e marrëveshjes finale.
Islami për KosovaPress nënvizoi se serbët në Kosovë nuk duhet të gëzojnë të drejta ekskluzive, derisa shqiptarët në Luginë të Preshevës nuk i gëzojnë as të drejtat elementare.
Agon Islami shprehet se në dialogun Kosovë-Serbi është e nevojshme të kenë përfaqësues edhe nga Lugina e Preshevës.
Megjithatë, ai pret që çështja e shqiptarëve në atë pjesë të Serbisë të trajtohet në Bruksel.
Si problem thelbësor që po ballafaqohen shqiptarët që jetojnë në Luginë, koordinatori i Qendrës për Demokraci dhe Arsim – Lugina në Bujanoc, Agon Islami e konsideroi pasivizimin e adresave.
Ai tha se kjo dukuri është e shprehur sidomos në komunën e Medvegjes.
Pasivizimi i adresave është shpërfaqë tek qytetarët shqiptarë në Serbi që nga viti 2006.