​Ish-konsullja e Kosovës në Strasburg: Anëtarësimi i Kosovës në KiE mund të zgjasë prej 1 deri në 3 vjet

​Ish-konsullja e Kosovës në Strasburg: Anëtarësimi i Kosovës në KiE mund të zgjasë prej 1 deri në 3 vjet

Ish-konsullja e Kosovës në Strasburg, Mimoza Ahmetaj, ka folur rreth aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE). Në një intervistë në Edicionin Special të Klan Kosovës, ajo tha se ka shembuj që pranimi i vendeve ka zgjatur deri në tre vite.

Ajo tha se për katër vitet që ka qenë me mision në Strasburg, vëmendja ka qenë tek përgatitja e dosjes së Kosovës për aplikim, përgatitje kjo që sipas saj është bërë në dimensione të ndryshme.

Më tej, Ahmetaj tha se një shtet nuk mund të paramendohet që të jetë anëtar i Bashkimit Evropian, pa qenë anëtar i Këshillit të Evropës.

“Gama e veprimtarisë dhe çështjet që Kosova lidhet me KiE-në është e madhe dhe nuk mund të paramendohet që një shtet të jetë anëtar i BE-së pa qenë anëtar në KiE sepse diku 70 për qind i raportit të vendit që draftohet nga BE-ja, përgatitet nga të gjeturat e KiE-së. Pra, kjo flet për rëndësinë që e ka KiE-ja”, është shprehur Ahmetaj.


Sa i përket asaj se sa kohë mund të marr pranimi, Ahmetaj thotë se ka shtete që janë anëtarësuar nga 1 deri në 3 vjet.

“Procedura do të jetë e gjatë, dhe sa e gjatë varet shumë nga mekanizmat brenda KiE-së. Ajo që dihet është se ka shtete që janë anëtarësuar për një vjet deri në ato që kanë zgjatur deri në 3 vjet e gjysmë. Është një çështje që nuk dihet saktësisht por varet nga ne se sa do të jemi aktiv në lobim dhe varet shumë nga KiE-ja dhe mekanizmat se sa shpejt do të jenë në gjendje që ta procesojnë dosjen e Kosovës nga një mekanizëm tek tjetri”, është shprehur Ahmetaj.

Ndërsa, e mira e këtij procesi, sipas Ahmetajt, është se nuk mund të kthehet në pikën zero.

“E mira e këtij procesi është që ky nuk mund të kthehet në pikën zero, pra shtetet anëtare nuk kanë të drejt të vetos, që është diçka që e bllokon Kosovën por procesi vazhdon tutje deri të finalizimi”, tha ajo në Klan Kosova.

Tutje, ajo tha se procesi i anëtarësimit ka dy komponentë në vete, atë teknike dhe politike, teksa shtoi se Kosovës mund t’i kërkohet nga shtete të caktuara që të jetë bashkëpunuese për arritjen e një marrëveshje me Serbinë.

Lexo edhe

Video