​Ipeshkvi Nikë Prela rivarroset pranë Pjetër Bogdanit në Prishtinë

​Ipeshkvi Nikë Prela rivarroset pranë Pjetër Bogdanit në Prishtinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka ndarë Urdhrin e Lirisë Ipeshkvit Nikë Prelës. Kjo u bë në akademinë solemne të rivarrimit të tij, që u mbajt sot në 24 vjetorin e vdekjes së tij.

Organizimi u bë nga Ipeshkvia Prizren-Prishtinë, në të cilën Ipeshkvi i Kosovës Dodë Gjergji tha se Nikë Prela ka qenë njeri që ka marrë përgjegjësinë bamirëse, e humanitare.

Para se mbetjet mortore të Nikë Prelës te vendosën në Kriptën e Katedralës “Nënë Tereza” në Prishtinë, Dodë Gjergji tha se ai ka ditur të ruajë kishën e tij dhe të sakrifikohet për të.

“Më lejoni t’ia them dy tre fjalë që burojnë nga zemra, e ato fjalë janë të thjeshta. Të falënderoj, shkëlqesi e nderuar që ke mbështetur pajtimin e njerëzve në Kosovë, që ke qenë ai që ke marrë përgjegjësinë bamirëse e humanitare përmes Shoqatës “Nënë Tereza” për t’i ardhur në ndihmë popullit tonë. Ke pas në zemër, fuqi dashurie për t’iu shërbyer njerëzve dhe më kujtohet shumë mirë si dëshiroje t’i thoje Papës Gjon Pali i Dytë ta mbështe Rugovën, se ai ishte njeri i paqes. Për figurën e Prelës mund të themi edhe shumë gjera të tjera, nuk mundem pa i thënë dy tre-gjëra, sepse ai ka qenë vërtetë një njeri që ka ditur të ruaj kishën e vet dhe të sakrifikohet për të. Ai ka ditur të jetë mësues i mirë edhe pse nuk ka pasur katedrale, por ka ditur të shkojë nëpër kishat e vendit tonë që t’i mësojë besimtarët e vet kudo”, tha Dodë Gjergji.

Dodë Gjergji tha se mbledhja e mbetjeve mortore e Ipeshkëve po bëhet për të mbledhur copëzat e vetës, për të ndërtuar mozaikun e fytyrës së vërtetë të Kishës.


Ipeshkvi i Kosovës tha se nuk do të lejojnë që populli të harrojë sakrificën që e ka bërë kisha dhe që do ta bëjë gjithmonë.

Ndërsa Ismail Syla, i cili në mungesë të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ndau Urdhrin e Lirisë për Nikë Prelën, tha se shqiptarët nuk kanë prodhuar asnjëherë figura antinjerëzore.

“E kemi për krenari që nuk kemi prodhuar diktatorë, e nuk kemi prodhuar figura antinjerëzore dhe antihumane, siç kanë prodhuar kombet mes nesh. Ne kemi Gjergj Kastriotin, Nënë Terezën e Pjetër Bogdanin”, tha ai, raporton KosovaPress.

Mbetjet mortore të ipeshkvit Nikë Prela tashmë janë të vendosura pranë atyre të Pjetër Bogdanit në Kripën e Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Lexo edhe

error: