​IAP prezanton dy raporte që lidhen me mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje

Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka prezantuar sot dy raporte me rekomandime pasi që ka hapur dhe hetuar dy raste të cilat lidhen me mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje si dhe të drejtat nga marrëdhënia e punës për gratë, nënat vetushqyese. Pas hetimeve në të dy rastet Avokati i Popullit i ka konstatuar shkeljet dhe i është drejtuar me rekomandime konkrete institucioneve përgjegjëse.

Raporti i parë ex officio është në lidhje me të drejtat e nënave vetushqyese në Kosovë lidhur me njohjen e pushimit vjetor edhe për dy ditë pune për prindin vetushqyes, i cili i takon sipas ligjit të Punës i Republikës së Kosovës. ndërsa, raporti i dytë ex officio është në lidhje me masat operative parandaluese për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, sipas ligjit për mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës.

Me rastin e prezantimit të këtyre dy raportove, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, u shpreh se viti 2021 për këtë institucion do të jetë i fokusuar në promovimin e Ligjit për mbrojtje nga diskriminimi.

Ai tha se si Institucion i Avokatit të Popullit nuk janë të kënaqur me zbatimin e Ligjit për mbrojtje nga diskriminimi dhe Ligjit për barazi gjinore.

“Viti 2021 për Avokatin e Popullit do të jetë vit për promovimin e Ligjit për mbrojtje nga diskriminimi dhe mbrojtje nga diskriminimi. Në fakt Avokati i Popullit luan rolin dhe ka mandatin e organit të barazisë dhe të organit për mbrojtje nga diskriminimi, mirëpo deri më tani edhe vet nuk jemi të kënaqur me të arriturat që janë evidente në raport të plotësimit të asaj çka kërkohet në dy ligje që janë pjesë e pakove të Ligjeve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, është fjala për Ligjin për mbrojtje nga diskriminimi dhe Ligji për barazi gjinore”, tha ai.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se të gjitha rekomandimet nga Institucioni i Avokatit të Popullit i marrin dhe i trajtojnë me shumë seriozitet dhe përgjegjësi, si dhe kujdesen që të njëjtat të zbatohen me përpikëri.

Në lidhje me raportin ex officio me masat operative parandaluese për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, sipas ligjit për mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, Mehmeti tregoi masat që kanë ndërmarrë.

Mehmeti tha se Policia e Kosovës ndër prioritetet e para të saj ka parandalimin e rasteve të dhunës në familje, megjithatë ai konfirmoi se nuk ekzistojnë salla operative për mbikëqyrje elektronike.

“Ne kemi emëruar hetues të specializuar në stacionet policore dhe në njësitë rajonale, të cilët merren vetëm dhe ekskluzivisht me rastet e dhunës në familje, ku këta hetues janë certifikuar me trajnime të rregullta dhe permanente. Po ashtu, Policia e Kosovës ka Drejtorinë për Policinë në bashkësi dhe preventivë, e cila gjithashtu e mbulon një pjesë të madhe të fushës së parandalimit të krimit dhe të dukurive të tjera negative që potencialisht mund të shfaqen në shoqëri, ku përpos sektorëve tjera është edhe sektori ekskluziv që merret me dhunën në familje. Detyrat kryesore të këtij sektori janë ndërmarrja e veprimeve parandaluese, vetëdijësuese dhe parandalimin e dhunës në familje, si dhe njoftimin e viktimave të dhunës në familje me të drejtat e tyre të garantuara me legjislacionin në fuqi…Për shkak të mungesës së mjeteve dhe përkrahjes së donatorëve projekti ka ngecur ende në këtë fazë dhe ashtu siç është cekur në raport nuk ekzistojnë salla operative për mbikëqyrjen elektronike siç është e përcaktuar me këtë ligj”, tha ai.

Sa i përket raportit në lidhje me të drejtat e nënave vetushqyese në Kosovë lidhur me njohjen e pushimit vjetor edhe për dy ditë pune për prindin vetushqyes, i cili i takon sipas ligjit të Punës të Republikës së Kosovës, ai tha se Policia e Kosovës në marrëdhënien e punës e ka rregulluar me udhëzim administrativ këtë çështje.


Drejtori i zyrës për Qeverisje të mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Habit Hajredini, tha se tha se duhen ndërmarrë hapa konkret për adresimin e të gjitha rekomandimeve që vijnë nga Avokati i Popullit.

“Dhuna në familje, diskriminimi dhe fenomenet e ndryshme natyrisht që janë në rritje dhe është një shqetësim shumë i madh për institucionet tona, për shoqërinë tonë, për të gjithë qytetarët. Andaj kërkohet një mobilizim institucional i gjithë akterëve për të punuar së bashku për ta parandaluar, për ta luftuar dhe në të njëjtën kohë për ta ndëshkuar”, tha ai.

Konkluzionet dhe rekomandimet e dala nga ky hetim i ka prezantuar Rozafa Selmanaj, këshilltare e lartë juridike në IAP.

Sa i përket raportit të parë ex officio në lidhje me të drejtat e nënave vetushqyese në Kosovë lidhur me njohjen e pushimit vjetor edhe për dy ditë pune për prindin vetushqyes, i cili i takon sipas ligjit të Punës i Republikës së Kosovës, Selmanaj tha se kanë pasur dy rekomandime, një për Inspektoratin e Punës dhe një për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Avokati i Popullit konstaton se në bazë të nenit 32 të Ligjit të Punës, nënat me fëmijë deri në tre vjeç, prindi vetushqyes dhe personat me aftësi të kufizuara kanë të drejtë në pushim vjetor edhe për dy ditë pune shtesë. Avokati i Popullit konstaton se diskriminimi në fushën e punës është i ndaluar, përveç tjerash, edhe me Ligjin e Punës dhe moszbatimin e këtij ligj në secilin nen, përfshirë nenin 32, e konsideron diskriminim. Institucioni i Avokatit të Popullit, në bazë të fakteve të mbledhura, analizës së ligjeve vendore dhe Kushtetutës, konstaton se moszbatimi i nenit 32 të Ligjit të Punës nga ana e punëdhënësve është shkelje e Ligjit të Punës, prandaj i rekomandon Inspektoratit të Punës, ta monitorojë zbatimin e nenit 32 të Ligjit të Punës, i cili përcakton të drejtën për pushim edhe për dy ditë pune shtesë për nënat me fëmijë deri në tre vjeç, për prindin vetushqyes dhe për personat me aftësi të kufizuara. Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale është rekomandim tjetër që në legjislacion të japë definicion të saktë për prind vetushqyes”, tha ajo.

Ndërkaq, lidhur me raportin e dytë lidhur me masat operative parandaluese për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, sipas ligjit për mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizjes me vendim të gjykatës, ajo tha se Avokati i Popullit konstaton se dështimi në zbatimin e këtij ligji tregon se Kosova nuk e ka përmbushur në tërësi obligimin e saj pozitiv për mbrojtjen e viktimave, e as të viktimave të dhunës në familje.

Ajo tha se konkluzion tjetër i Avokatit të Popullit është se dhuna në familje duhet të luftohet në atë mënyrë që shteti t’i përdorë të gjitha masat, përfshirë edhe ato të cilat burojnë nga Ligji për mbikëqyrjen elektronike të peronave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, për të mundësuar parandalimin në masën sa më të madhe të dhunës në familje.

“Avokati i Popullit rekomandon që Prokuroria dhe gjykatat t’i zbatojnë dispozitat e Ligjit për mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës t’i zbatojnë dispozitat e Ligjit për mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës. Ministria e Punëve të Brendshme si dhe Policia e Kosovës, në përputhje me nenin 10 të Ligjit për mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, ta realizojnë mbikëqyrjen elektronike, t’i mbledhin, t’i përpunojnë dhe t’i raportojnë të dhënat që vijnë nga pajisja. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës t’i zbatojnë dispozitat e Udhëzimit Administrativ për realizimin e mbikëqyrjes elektronike dhe raportimin nga Policia e Kosovës, për personat të cilëve u kufizohet lëvizja”, tha ajo.

Lexo edhe

Video

error: