​I zhdukur prej 17 muajsh, familjarët presin që Bedri Rexhepi të kthehet i gjallë

​I zhdukur prej 17 muajsh, familjarët presin që Bedri Rexhepi të kthehet i gjallë

Sot bëhen 17 muaj nga dita kur është zhdukur biznesmeni Bedri Rexhepi, por familja akoma nuk ka një përgjigje për fatin e tij. Informacionet të cilat deri tani kanë familjarët janë se Bedri Rexhepi më datën 8 prill 2021 është parë në Novobërdë dhe nga aty më asgjë nuk dihet për të.

Gjatë muajit gusht policia arrestoi edhe dy të dyshuar të tjerë në lidhje me këtë rast, përkatësisht vëllain dhe kunatën e Jeton Vllasaliut. Ky i fundit po mbahet në paraburgim si i dyshuar kryesor për zhdukjen e biznesmenit Rexhepi.

Prokuroria pati njoftuar se me arrestimin e këtyre dy të dyshuarve ishin sekuestruar edhe disa prova materiale të cilat do të shërbejnë për procedurë të mëtutjeshme penale.

Vëllai i Bedriut, Vedat Rexhepi, deklaroi për KosovaPress se me caktimin e prokurorit të ri të rastit ka pasur lëvizje më optimistë gjë që ka rritur shpresat tek ata se rasti i familjarit të tyre të mund të zbardhet shpejtë.


“Sot familjaret kanë shpresa më të mëdha për gjetjen e Bedriut tani për shkak edhe të zhvillimeve të fundit nga ana e prokurorit të rastit. Ne si familje kemi kërkuar një prokuror të ri nga ana e prokurorisë dhe vërehet që ka pasur zhvillime të reja ku janë arrestuar gjatë muajit gusht edhe dy persona të tjerë”, tha Vedati.

Rasti i biznesmenit Rexhepi tashmë është në duart e prokurorit Armend Haliti, për të cilin Vedati thotë se ka qenë korrekt.

“Bashkëpunimi i prokurorit me ne ka qenë korrekt dhe profesional dhe vërehet që edhe kanë siguruar prova të reja ku janë arrestuar edhe dy persona të tjerë. Andaj shpresat tona për gjetjen e Bedriut janë rritur dhe normal presim që sa me shpejtë të gjendet i gjallë dhe të zbardhet e vërteta”, shtoi Vedati.

KosovaPress në vazhdimësi ka shkruar në lidhje me zhdukjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.

Lexo edhe

Video