​Hoti: Serbia ende nuk ka hequr dorë nga mendja e saj kriminale

​Hoti: Serbia ende nuk ka hequr dorë nga mendja e saj kriminale

Kreu i Komisionit Qeveritar për Personat të Zhdukur, Andin Hoti, deklaroi se Serbia nuk ka hequr dorë nga mendja e saj kriminale edhe pas 23 viteve nga lufta. I biri i veprimtarit Ukshin Hoti, përsëriti se personat të cilët kanë kidnapuar dhe e kanë zhdukur Ukshin Hotin sot kanë poste publike në Serbi.

Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Hoti u shpreh se Kosova nuk ka fuqi të ushtrojë ndikim më të madh te Serbia për çështjen e personave të pagjetur prandaj tha se i kërkojnë vazhdimisht Bashkimit Evropian dhe partnerëve të Kosovës që ta bëjnë një gjë të tillë.

“Kërkesa e familjarëve të personave të zhdukur, kërkesë edhe e imja, vazhdimisht ka qenë të bëhet presion më i madh ndaj Serbisë, por institucionet e Kosovës nuk kanë fuqi të bëjnë ndikim më të madh në Republikën e Serbisë. Mirëpo fuqi politike ka Bashkimi Evropian, partnerët tanë të Kosovës, dhe ne kemi kërkuar tërë kohën që këta të bëjnë presion më të madh ndaj Serbisë”, tha Hoti.


Ai shtoi se prejse është kryetar i Komisionit nuk ka pasur asnjë takim me palën serbe ndërsa nuk ka pasur asnjë lloj presioni për një takim të tillë.

“Prej që jam kryetar i Komisionit dhe i Delegacionit, unë asnjëherë nuk jam takuar me palën serbe. Sinqerisht them pa asnjë mëdyshje, deri më sot nga institucionet e Republikës së Kosovës nuk kam pasur asnjë vështirësi dhe i kam pasur duart e lira për këtë proces”, u shpreh ai.

Sipas tij, personat të cilët sot duhet të mbahen përgjegjës për fatin e të atit, Ukshin Hoti, sot mbajnë poste publike në Serbi.

“Babi është kidnapuar nga persona të cilët dihen botërisht, e fatkeqësisht ata persona jo që ne nuk po mundemi me i gjetë, por të njëjtit marrin poste publike në Serbi dhe kjo është fatkeqësi”, tha ai në Tëvë1, duke shtuar se kjo është shenjë që Serbia nuk ka hequr dorë nga mendja e saj kriminale.

Lexo edhe

Video