​Hezitim për vaksinim, Vitia thotë se varianti Delta është kërcënim serioz

​Hezitim për vaksinim, Vitia thotë se varianti Delta është kërcënim serioz

Deri në 90 për qind e rasteve të fundit me COVID-19 janë të variantit Delta. Derisa pritjet janë që të ketë përhapje të madhe të këtyre rasteve gjatë këtyre ditëve, ndërkohë që në shumë komuna të Kosovës ka hezitime për vaksinim. Ministri i Shëndetësisë ka deklaruar se mos-vaksinimi mund të përkeqësojë gjendjen, duke mos përjashtuar mundësinë që mund të ketë masa të veçanta për të njëjtit. Në anën tjetër ka dështuar transportimi i mostrave nga Kosova për analiza jashtë vendit, në mungesë të kapaciteteve dhe njohurisë profesionale.

Kështu  u tha në një konferencë të Ministrisë së Shëndetësisë, pas shtimit të rasteve me infektim në Kosovë.

Ministri Arben Vitia ka thënë se përhapja e variantit Delta është kërcënim serioz dhe se përfundimi i pandemisë është i largët.

“Përhapja e shpejt e Delta variantit është kërcënim serioz. Pavarësisht se në qendrat e mëdha si Prishtina dhe disa qendra të tjera, interesimi është i madh për vaksinim kemi shumë komuna ku ka ende hezitim të madh. Kjo duhet të ndryshuar qytetarë të nderuar. Ftoj që tani më shumë se kurrë të bëhemi bashkë që në komunat e tyre të shtrijnë ndikimin që kanë për të shtuar numrin e vaksinuarve në komunat respektive , ka deklaruar Vitia.

Ai ka përsëritur disa herë në konferencë për media thirrjen për vaksinim, duke shtuar se nëse ndodhë e kundërta do të përkeqësohet situata.

“Hezitimet mund dhe do ta përkeqësojnë situatën. Duhet të tregohemi të arsyeshëm për të parandaluar përhapjen e mëtejme të virusit dhe kjo nënkupton që qytetarët e vendit tonë duhet të vaksinohen dhe atë me dy dozat e vaksinës. Kemi krijuar kapacitet që brenda ditës të bëhet vaksinimi mes 16-20 mijë qytetarëve të Republikës. Prandaj, duhet të shfrytëzojmë të gjithë këtë mundësi në veçanti mësimdhënësit, policës, punonjësit e Administratës Publike, punonjësit në kompani private me një fjalë të gjithë mbi moshën 18 vjeçare”, ka shtuar Vitia.

Drejtori i departamentit të Mikrobiologjisë, Xhevat Jakupi tha se varianti Delta përhapet më shpejt dhe se një pjesë e tyre mund të përfundojnë me pasqyrë të rëndë klinike.


“80 deri në 90 për qind të izolatave të Sars-koronavirus janë të variantit Delta. Përderisa para tre katër muajve varianti alfa ose ai britanik ishte afër 98 për qind të rasteve i izoluar, tash ky variant është 7 deri në 8 për qind të izolanteve, kurse nuk gjejmë të variantit beta dhe gama ose atij të Afrikës së Jugut apo brazilian. Situata sa i përket prevalencës së varianteve ka ndryshuar, duke qenë mbizotërues varianti delta javëve të fundit… Veçanërisht nuk duhet të ketë asnjë individ që i ka 50 vjet apo më shumë dhe nuk është i vaksinuar me një dozë apo më së miri apo me dy dozat”, tha ai.

Ai ka shtuar se 99 për qind e rasteve të vdekjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të personave të pa-vaksinuar. 

Më tej, ka theksuar se të hënën pritej të dërgohen 100 mostra jashtë vendit për analiza se ai takojnë variantit Delta, por që ka dështuar transportimi.


“Ne kemi planifikuar që nga kjo e hënë të dërgojmë afër 100 mostra jashtë vendit përmes një projekti të përbashkët me qendrën për kontroll të sëmundjeve të Evropës, por fatkeqësisht kompania përgjegjëse për transportimin e mostrave nga Kosova nuk ka kapacitet dhe njohuri profesionale për të kryer këtë proces të punës. Tani jemi në diskutim që të gjejmë një kompani tjetër e cila do të transportojë mostrat dhe rrjedhimisht mostrat nuk janë nisur ende. Po shpresojmë që të nisim javën e ardhshme”,
ka deklaruar ai.

Ministri Vitia është pyetur se a do të ketë masa të veçanta për personat të cilët nuk janë të vaksinuar.
“Kemi diskutuar për iniciativa të tilla. Kur të marrim vendime të tilla, natyrisht se do të bëjmë publike. Mbetet sfidë ajo që ka qenë gjithherë, mbikëqyrja. Numri i vogël i inspektorëve të cilët i kemi në dispozicion për të mbikëqyrë se nëse ndërmerren disa masa se sa do të jenë të zbatueshme ato në terren. Mbi te gjitha por edhe të ishte edhe dhjetëfishi i inspektorëve është krucial bashkëpunimi qytetar dhe përgjegjësia qytetare që duhet ta kemi tani secili”,
u shpreh ai.

Më tej, vaksinave që do u skadoj afati me 31 korrik janë dhënë të gjitha, ndërsa atyre me 31 gusht janë në proces të dhënies së dozave.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar se për shumicën e barnave dhe materialeve mjekësore nga lista e barnave esenciale, aktivitetet e prokurimit janë në fazën finale. Duke shtuar se po vazhdon edhe shtrirja e oksigjenimit qendror aty ku ka munguar më herët.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.

error: