​Hendbolli i meshkujve, të shtunën luhen ndeshjet e javës së pestë

​Hendbolli i meshkujve, të shtunën luhen ndeshjet e javës së pestë

Pas ndeshjeve interesante dhe dramatike në kuadër të javës së katërt, Superliga e Kosovës në hendboll vazhdon të shtunën kur në program janë të tjera ndeshje që priten me interes. Të gjitha katër ndeshjet e javës së pestë të Superligës së hendbollistëve luhen të shtunën.

Vëmendja fillimisht do të jetë në kryeqytet ku prej orës 13:00 takohen Prishtina e Deçani. Deçanasit të trimëruar nga fitorja ndaj Rahovecit, do të kërkojnë befasinë në Prishtinë. Ndërkohë skuadra prishtinase kërkon po ashtu të reagojë pas humbjes të enjten në derbi nga Besa Famgas në Pejë.


Tri ndeshje të tjera janë prej orës 19:00. Rahoveci – Trepça pritet të jetë ndeshja më interesante. Mitrovicasit udhëtojnë me synime për të vazhduar formën e mirë, përkatësisht për të vazhduar me fitore. Por “vreshtarët” do të angazhohen maksimalisht për të mbajtur pikët, kështu që me të drejtë pritet hendboll i mirë dhe ndeshje e fortë. Kastrioti – Vëllaznimi dhe Llapi – Vushtrria janë ndeshjet e tjera që luhen nesër nga ora 19:00.

Në Ligën e Parë është java e katërt. Të shtunën janë ndeshjet Istogu – Prizreni (14:00) dhe Vjosa – Lepenci (19:00). Ndërkohë të dielën janë dy takimet të tjera: Samadrexha – Drita (18:00) dhe Ulpiana – Dukagjini (15:00).

Lexo edhe

Video