Për dallim nga edicionet e kaluara të Superligës së Kosovës në hendboll kur kjo garë ishte e përbërë nga 10 skuadra, në edicionin 2023/24, Superliga e meshkujve do të zhvillohet me vetëm 8 ekipe.
Kjo për arsye se klubi i Llapit dhe Dritës janë tërhequr nga gara duke rënë në Ligën e Parë për arsye të krizës financiare në të cilën janë duke u përballur.
Komisari i garave në Federatën e Hendbollit, Isak Osmani, ka thënë për KosovaPress, se këto dy skuadra nuk kanë arritur që ta përballojnë koston financiare të elitës së hendbollit kosovar, andaj kanë vendosur që të tërhiqen nga gara.
Sipas Osmanit, ky është një lajm shumë i keq për hendbollin kosovar, pasi nga këto dy ekipe gjithmonë kanë dalë hendbollistë cilësorë.
Kur ka mbetur edhe një muaj deri te fillimi i edicionit të ri, Osmani shprehet i shqetësuar me mungesën e kushteve nëpër palestrat sportive ku zhvillohen ndeshjet. Ai thotë se problemet më të mëdha po shfaqen gjatë stinës së dimrit për shkak të mungesës së ngrohjes nëpër palestra.
Sipas tij, nëse kjo problematikë vazhdon edhe gjatë këtij edicioni, atëherë rrezikohet që ndeshjet të mos zhvillohen fare.
Sa i përket infrastrukturës, Osmani ka bërë të ditur se kanë nisur punimet në rinovimin e palestrës në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë nga Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Sportit.
Përkundër të gjitha këtyre vështirësive, Osmani deklaroi se pret një kampionat cilësor duke u bazuar në përforcimet që kanë bërë skuadrat gjatë afatit kalimtar veror.
Ndryshe, edicioni i ri garues në hendboll, në të dy konkurrencat fillon më 16 shtator./A.Bytyçi/
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim!