​Haxhiu tërhiqet nga kryesimi i grupit punues për ligjin anti-COVID, thotë se pozita po ndërhyn në punën e deputetëve

Kërkesa e kryetares së Komisionit për Shëndetësi Fatmire Kollçaku, drejtuar institucioneve shëndetësore që të mos përgjigjen në pyetjet e deputetit të PDK-së Bekim Haxhiu, ka përplasur deputetët në mbledhjen e sotme ku po diskutohet për monitorimin e zbatimit të Ligjit për parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19.

Deputetët nga pozita kanë akuzuar deputetin e PDK-së Bekim Haxhiu, që ka keqpërdorur pozitën e kryetarit të grupit punues, derisa Haxhiu tha se pozita ka ndërhyrë në punën e grupit punues.

Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, deklaroi se pas ndërhyrjes së kryetares sa komisionit do të tërhiqet nga udhëheqja e grupit punues për monitorimit të zbatimit të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Ai tha se një kërkesë e tillë është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e deputetëve dhe në punën e grupit punues.

“Është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e deputetëve, në punën e grupit punues, është absurde me ju dërgu e-mail institucioneve mos iu përgjigjuni deputetëve, as në Kore të Veriut nuk ndodh, në Kore të Veriut as në Kinë nuk dërgon dikush e-mail mos iu përgjigji deputetëve, kjo është nonsens[…]Unë nuk mund të punoj në një grup punues ku sabotohet nga kryetarja e komisionit nga mazhoranca. Kështu që, unë tërhiqem prej këtij grupi punues dhe prej çdo grupi monitorues për ligje derisa ju i dërgoni e-mail institucioneve për të mos na dhënë informacione. Monitoroni vet, punon vet edhe realizoni vet, i keni ato informacione të kufizuara”, tha ai.

Kryetarja e komisionit, Fatmire Kollçaku, duke iu përgjigjur deputetit Haxhiu tha se i njëjti ka keqpërdorur pozitën duke dërguar kërkesa në institucionet shëndetësore pa u konsultuar me deputetët e tjerë.


Po ashtu, ajo tha se Haxhiu ka dalë jashtë fushës së studimit duke kërkuar të dhëna qysh nga fillimi i pandemisë, kohë kur nuk ka qenë në fuqi Ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

“Ju si kryesues i grupit punues e keni keqpërdor pozitën e juaj duke mos diskutuar me kolegët e tjerë të grupit, ndërsa në emër të grupit jeni nënshkruar edhe keni pretenduar për të dërguar letër jo si Bekim Haxhiu sepse në momentin sikur ta kishit adresuar si Bekim Haxhiu ajo letër pa penguar kishte shku, por në fillim i jeni adresuar grupit punues, ky është keqpërdorimi i parë që e keni bërë. E dyta, zotëria në fjalë shumë mirë e dini kur është miratuar ligji anti-COVID në fund të gushtit, ndërsa ju në emër të monitorimit të ligjit anti-COVID kërkoni informata që nga fillimi i epidemisë që nënkupton janarin e vitit 2020, ju keni dalë jashtë objektit të studimit. Keni harruar që ky nuk është komisioni anti-COVID ai hetimor, por natyra juaj dyshuese nuk mundet me ju lanë me dalë prej rolit që e keni pasur”, tha ai.  

Sërish ka reaguar deputeti Bekim Haxhiu, i cili tha se nuk po e kupton pse deputetët e pozitës po brengosen për raportet që kanë kërkuar.

“Pse po brengoseni nëse kemi kërkuar raport ditor për testet PCR, pse po brengoseni nëse kemi kërkuar raport ditor për numrin e vdekjeve në Klinikë, pse po brengoseni për raport ditor të testeve PCR dhe rapide, pse po brengoseni nuk po ju kuptoj cili është shqetësimi juaj. Çka ka lidhje po ata i kanë ato shënime, për çdo ditë i kanë raportuar, po i kane raportuar të përgjithshme edhe sot raportohen të përgjithshme”, tha ai.

Për mosbashkëpunim, Haxhiun e ka akuzuar edhe deputetja e LVV-së Labinotë Demi-Murtezi, e cila u shpreh se në momentin kur shkruhet letër në emër të grupit punues pa dijeninë e të gjithë deputetëve është ofenduese për ta.

“Vetëm tri vizita i kemi bërë si grup monitorues, kanë qenë të planifikuara edhe nga dy brenda javës, nuk jemi kurrkah me agjendë edhe sot ju të paktën duheni me kërku falje e jo me thënë unë nuk e udhëheq. Ajo është më e lehta zotëri, ama çka kemi bërë konkretisht. Edhe sipas rregullores së Kuvendit, një thirrje morale kur dikush ju beson duhet të paktën me qenë transparent, në maksimum e ke pas bashkëpunimin”, tha ajo.

Në mbledhje të këtij komisioni u diskutua edhe për monitorimin e Ligjit për shëndetin mendor, me ç’rast deputetët u pajtuan që vizitat për këtë ligj të vazhdojnë edhe në fillim të muajit shtator.

Lexo edhe

Video