​Haxhiu e Deliu përplasen me akuza për familjarë me probleme me ligjin

​Haxhiu e Deliu përplasen me akuza për familjarë me probleme me ligjin

Projektligji për Provimin e Jurisprudencës ka përplasur deputetët e Kuvendit të Kosovës ku partitë opozitare kanë kundërshtuar ndryshimet e prezantuara nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Diskutimet kanë shkuar përtej kësaj çështjeje ku deputetët dhe ministrja janë përplasur për ndërhyrje në drejtësi dhe akuza për familjarë që kanë probleme me ligjin. Kuvendi nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm për të votuar këtë projektligj.

Minsitrja Albulena Haxhiu ka thënë se janë disa persona që po hetohen lidhur me proceset e Provimit të Jurisprudencës që është zhvilluar në të kaluarën.

“Po, janë disa raste që janë duke u hetuar nga policia sa i përket Provimit të Jurisprudencës nuk dua të flas më tepër për përfundimin e këtij hetimi, u përket organeve të drejtësisë që ta adresojnë këtë por informacionet e mija janë që tashmë janë disa raste që janë duke u hetuar. Sa i përket çështjes që adresoi zonja Deliu, tha presion tek anëtarët e komisionit, kjo është shpifja, sikur me të thënë unë ty qysh ka mundësi që motra jote është punësuar në prokurim në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e ke punësuar ti motrën tënde, ose nëse dua të bëhem si Abelard Tahiri, si e konsideron ti që dhëndri yt në OShP është arrestuar, nëse doni me gjuhen e njëjtë, si zonjës Deliu”, ka thënë ministrja Haxhiu.

Kësaj deklarate i është përgjigjur deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu-Kodra e cila tha se kunati i ministres Haxhiu është i akuzuar për terrorizëm në Maqedoninë e Veriut.

“Imagjinoni ministrja e Drejtësisë që sot vjen dhe më flet për sistem të drejtësisë në Kosovë e kunati i saj është i akuzuar për terrorizëm në Maqedoni sot mua më mban leksione për sistem të drejtësisë, si takoheni me homolog zonja ministre, si e takon ti një ministre të Drejtësisë të Gjermanisë, kur në CV-në tënde shkruan që kuanti ne kemi të arrestuar për terrorizëm në Maqedoni. Unë nuk kam çka i shtoj kësaj shpifje, sa për dhëndrin, as nuk është arrestuar, dhe është shpifje që ju e keni thënë dhe do të mbani përgjegjësinë tuaj zonja Haxhiu”, ka thënë Deliu-Kodra.

Ndërsa ministrja Haxhiu ka thënë se fjala është për rasatin e Kumanovës derisa ka shtuar se nëse deputetja Deliu-Kodra ka ndonjë informacion, duhet t’ia jap shtetit.

“Për ata që nuk e dinë është fjala për rastin e Kumanovës, le ta vlerësojnë institucionet e drejtësisë sepse është një enigmë e madhe se si ka ndodhur ai rast, ndoshta Blerta Deliu e di, le t’u tregojë Blerta Deliu institucioneve të Kosovës si ka ndodhur rasti i Kumanovës”, ka thënë Haxhiu.

Ndërsa në prezantimin e saj para deputetëve, ministrja Haxhiu ka thënë se për herë të parë Provimi i Jurisprudencës nuk ka pasur ndikim nga politika.

“Për herë të parë komisionit për provimin e Jurisprudencës nuk ka pasur asnjë ndikim,. Asnjë presion, as nga presidenca, as nga kryetari i Kuvendit e as nga Qeveria apo Ministria e Drejtësisë. Prandaj i falënderohem në emër të Ministrisë së Drejtësisë për punën e mirë sepse është koha e fundit ku njerëzit të cilët e meritojnë ta kalojnë provimin, qoftë të Jurisprudencës apo provime të tjera, vetëm ata të mirët ta kenë të mundshëm këtë dhe jo njerëz të cilët kanë lidhje qoftë me paritë politike apo familjarët e tyre”, ka thënë ministrja Haxhiu.

Një shembull i keq në raste të tilla, sipas Haxhiut, është provimi i noterisë në kohën kur Abelard Tahiri ishte ministër i Drejtësisë.

Ajo ka thënë se në atë kohë pushtetarët u kanë mundësuar familjareve që ta kenë provimin e noterisë.

Deklaratat e Haxhiut kanë nxitur reagimin e deputetëve opozitarë të cilët kanë kundërshtuar qasjen e ministres dhe deklaratat e saj për rrjedhën e Provimit të Jurisprudencës në të kaluarën.


“Provimi i noterisë ka qenë provim i organizuar jashtëzakonisht mirë, ti nuk ke me pas qare në të ardhmen pa i emëruar ata noterë sepse gjykata nuk mundet të anulojë një proces të tillë, pra ti nuk mundesh ta anulosh një provim të tillë dhe ti në të ardhmen do t’i emërosh ata noterë, por ti misionin e ke kryer sepse ju ke mundësuar monopol disa njerëzve apo krimit të organizuar dhe kjo është arsyeja që Bashkimi Evropian t’i ka qit frenat, a po e sheh, nuk po të lejon me ecë përpara me veting sepse nuk keni kredibilitet, për herë të parë vetingu nxirret si vërejtje në raportin e progresit, normalisht që nuk mundet, sepse ke në staf njerëz të kriminalizuar, ke zëvendësministër që vëllain e ka të involvuar në fajde”, ka thënë shefi deputetëve të PDK-së, Ableard Tahiri.

Kësaj i është përgjigjur ministrja Haxhiu e cila ka thënë se zëvendësministri aktual i Drejtësisë i ka ndalur grupet kriminale, që sipas saj, ishin në Shërbimin Korrektues.

“Sa i përket zëvendësministrit të Drejtësisë unë e di ku e ke hallin ti, zëvendësministri i Drejtësisë Blerim Sallahu, grupet kriminale që i ke pasur brenda Shërbimit Korrektues t’i ka ndalë, t’i ka prish Abelard Tahiri, këtu e ke hallin ti, ky është sikleti yt”, ka thënë ministrja Haxhiu.

Partitë opozitare kanë pasur kundërshtime sa i përket prezantimit të projektligjit nga ministrja Haxhiu.

Ata kanë kërkuar që politika të largohet nga Provimi i Jurisprudencës dhe organizimi i provimit të bëhet nga një institucion i pavarur.

Ndërsa ministrja Haxhiu ka thënë se përmes këtij projektligji synohet avancimi i infrastrukturës ligjore për ngritjen e cilësisë dhe rritjen e transparencës në fushën e jurisprudencës.

Sipas saj, i njëjti adreson pengesat që janë identifikuar në të kaluarën gjatë mbajtjes së Provimit të Jurisprudencës.

Ajo ka thënë se mandati i anëtarëve të komisionit propozohen nga ministri i Drejtësisë por mandati do të jetë tre vjet pa mundësi riemërimi.

Haxhiu ka thënë se provimi i Jurisprudencës do të organizohet tre herë brenda një viti kalendarik.

Ndërsa ka shtuar se komisioni i raporton ministrit të drejtësisë pas përfundimit të secilit afat të provimit, dhe në raste tjera sipas kërkesës së ministrit.

Ajo ka thënë se komisioni do të përbëhet nga juristë që të cilët e kanë dhënë provimin e jurisprudencës e të cilët do të kenë tetë vite punë profesionale, nga 12 sa ishte në të kaluarën, pikë kjo që gjithashtu është kundërshtuar nga opozita.

Në mungesë kuorumi për votim, seanca është në pauzë deri në orë 15:00.

Lexo edhe

Video

4 Comments

Komentet janë të mbyllura.

error: