​Haliti thotë se ende nuk kanë pranuar mjetet mbrojtëse nga MSH

​Haliti thotë se ende nuk kanë pranuar mjetet mbrojtëse nga MSH

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka deklaruar se kanë mungesë të mjeteve mbrojtëse për personelin mjekësor, derisa ka theksuar se ende nuk kanë marrë mjetet mbrojtëse të premtuara nga Ministria e Shëndetësisë.

Ai për KosovaPress deklaroi se kanë mungesë të mjeteve mbrojtëse dhe se gjatë ditës ka arritur t’i sigurojë 30 palë mjete mbrojtëse për personelin që kanë kontakte me të infektuarit me virusin COVID-19.

“Shumë pak kemi, sot i kam siguruar 30 palë nga Gjilani, i kam marrë hua, mi kanë sjell drejtori i Shëndetësisë dhe kryetari i Komunës, 30 palë mjete mbrojtëse për shëndetësi, për vijën e parë që kanë kontakte me të infektuarit. Ato janë shumë pak e hiç”, tha ai.

Haliti potencoi se nga Ministria e Shëndetësisë kanë marrë premtime se do të marrin jete mbrojtëse, por që tha se një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.


“Ka premtuar që do të na bin, edhe  sot na kanë premtuar, ndoshta këtyre ditëve na bin. Ende jo, veç premtime na kanë dhënë se do të na bin tashmë”, tha ai.

Përderisa kjo komunë është në karantinë, pasi disa persona janë identifikuar me virusin COVID-19, Haliti tha se gjendjen po mundohen ta mbajnë të qetë në këtë komunë.

“Po mundohemi me e mbajt qetë, për fat të mirë nuk ka pasur raste që 24 orët e fundit asnjë pacient. Sot kemi vazhduar me dezinfektimin në fshatin Stubëll atje tek shkolla, hapësirat publike, tek kisha. Nesër vazhdojmë me rrugët”, tha ai.

Deri më tani në Kosovë janë 20 raste me virusin COVID-19./M.Duraku/

Lexo edhe

error: