​Hadri rrëfen periudhën kur kishte shkuar të mjekojë pacientët në Zllash

Teuta Hadri është dëshmitarja e radhës e mbrojtjes së Salih Mustafës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Hadri, e cila është mjeke me profesion, ka folur për periudhën e muajit mars dhe prill të vitit 1999 ku ndër të tjera ka thënë se më 16 prill të atij viti kishte shkuar në fshatin Zllash me qëllim që të ndihmonte njerëzit në nevojë.

Para trupit gjykues, Hadri ka thënë se më 1 prill të vitit 1999 forcat serbe e kishin dëbuar nga vendbanimi i saj në Prishtinë.

Ajo ka thënë se si gjinekologe ka dashur të ndihmojë nënat gjatë lindjeve të fëmijëve në periudhë lufte.

Hadri ka deklaruar se ka ikur nga kolona ku i kishin vendosur forcat serbe, të cilat sipas saj, synonin t’i dëbonin drejt Shqipërisë dhe se është drejtuar për në shtëpinë e profesorit Sami Peja.

Gjatë dëshmisë ajo ka thënë se në shtëpinë e tij ka qëndruar për rreth tre ditë meqë sipas saj profesori Sami Peja kishte ndërruar jetë.

Aty, ajo ka thënë se një çift e kishte ndihmuar të shkojë në fshatin Keqekollë në mënyrë që të takohet me ushtarët e UÇK-së.

“Nuk kemi qëndru në Keqekollë, më kanë marrë ushtarët dhe më kanë dorëzuar në një zonë afër Keqekollës, nuk e dija ku por i thonin Skifteraj, zona e Skifterajve dhe aty më kanë kontrolluar, më kanë identifikuar dhe kanë marrë të gjitha informatat çka atyre u nevojiteshin”, ka thënë ajo.

Sipas saj, ushtarët e kishin dërguar për në fshatin Zllash meqë i kishin lajmëruar që aty ka nevojë për mjek.

“Pasi ai lajmëroi në bazë siç thoshte në telefon, ata ju përgjigjën në telefon të bazës ‘silleni këtu sepse ka nevojë shumë dhe vendin e ka këtu me ardh për shërbime shëndetësore’ dhe ushtarët më kanë marrë me makinë dhe më kanë dërguar mua deri të zona që nuk e dija ku, që i thonin Zllash”, ka thënë ajo.

Në Zllash, Hadri ka thënë se e ka takuar atë qe e quanin ‘komandant Sejda’.


Ndër të tjera, Hadri ka thënë se e di saktë që ishte data 16 prill kur kishte shkuar në Zllash meqë sipas saj ajo mbante një ditar ku shënonte çdo gjë.

“Ka qenë data 16 prill 1999 dhe koha me orë ka qenë diku nga ora tre ose katër pasdite. Ishte një fat i madh se unë mbaja ditar lufte, çdo ditë kam shënuar në ditar, qoftë krimet, qoftë gëzimet e pakta që i kemi pasur në luftë që janë shumë të pakta, me sekonda, i kam shënuar ngjarjet ditore që të mos harrohet kjo ditë që e kaloja, andaj e dija që është 16 prilli”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se është në Zllash është vendosur në një dhomë të vogël, pranë shtëpisë ku sipas saj ishte shtabi.

“Shtëpia ku i thonin ‘shtabi’, që unë e mendoja më të madhe, ishte një shtëpi e vogël me katër-pesë shkallë, unë e kam parë vetëm pamjen nga unë jam ngjitur, pjesën tjetër nuk e kam parë asnjëherë. Ajo i kishte katër-pesë shkallë dhe e kishte një korridor të ngushtë katër-pesë metra dhe në të dy anët kishte dy dhoma, djathtas dhe majtas, dhe ne kemi hyrë në njërën prej atyre dhomave”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se është vendosur në një dhomë të vogël ku sipas saj menjëherë kishin filluar të vinin pacientët për të kërkuar ndihmë.

Sipas Hadrit, vendi ku duhet të shërbente ishte objekti i shkollës në Zllash, pjesa ku shfrytëzohej për shërbime mjekësore, por nevoja që kishin pacientët për të marrë shërbimet mjekësore ishte aq e madhe dhe ajo kishte filluar t’i mjekonte në dhomën e saj.

“Fatkeqësisht unë ende pa hy në dhomën ku doja t’i dërgoja rrobat, pacientët ishin shumë të nevojshëm për ndihmë mjekësore, erdhën dhe u futën në dhomën time, pa pyetur fare, pa trokitur dhe kishin nevoja të çuditshme që i binte situata, kishte fëmijë me meningjit, kishte pacientë me kardiopati, unë u shndërrova nga një gjinekologe që kisha dalë mi ndihmu nënat me lind në një mjeke të përgjithshme dhe kështu që pacientët nuk prisnin, dhe që në ditën e parë më 16 prill filluan të hynin në dhomën time”, ka thënë Hadri.

Dëgjimi i dëshmitares në gjyqin ndaj Salih Mustafës do të vazhdojë pas pauzës.

Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.