​Gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa vazhdon edhe sot në Hagë

​Gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa vazhdon edhe sot në Hagë

Në Hagë do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), Salih Mustafa, i njohur me nofkën Cali.

Të hënën Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përfunduar pyetjet për dëshmitarin e tretë kundër Mustafës dhe sot dëshmitari do t’u përgjigjet pyetjeve të mbrojtjes së viktimave dhe avokatit të Salih Mustafës.

Të hënën dëshmitari i tretë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ka thënë se në kohën kur i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është marrë nga disa persona dhe është dërguar në një objekt në fshatin Zllashë, që sipas tij, aty është keqtrajtuar nga një persin që ai e quan komandant Cali.

Ai gjatë dëshmisë së tij, duke iu mbrojtur identiteti ka deklaruar se fillimisht nuk e ka ditur kush është personi e pastaj ka dëgjuar të tjerët duke iu drejtuar “Komandant Cali”. Por i njëjti në një dëshmi të dhënë prokurorit të ZPS-së më 2019 kishte thënë se personi ishte prezantuar vet si komandat Cali.

Gjatë dëshmisë së tij ai ka thënë edhe se në Zllashë është mbajtur 18 ditë, ku sipas tij është rrahur e maltretuar vazhdimisht.

Ai derisa i është përgjigjur prokurores Silvia D’Ascoli, ka thënë se si pasojë e maltretimit që pretendon se i është bërë në Zllashë, sot ka lëndime në krah, kokë dhe shikimin në syrin e majtë e ka të humbur.

Dëshmitarët e ZPS-së kanë filluar të dëshmojnë në këtë rast nga data 20 shtator, ku deri tani janë dëgjuar dy prej tyre.

Gjykimi filloi më 15 shtator 2021 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësueses së viktimave.


Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë,  e që Salih Mustafa është edhe i arrestuari i parë nga Specialja.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte dhe kundër njerëzimit, dhe u dërgua në objektin e paraburgimit në Hagë.

Seanca e paraqitjes së parë së Mustafës u mbajt më 28 shtator 2020 para gjykatësit të procedurës paraprake, Nikola Giju. Në paraqitjen e tij të mëtejshme, më 28 tetor 2020, Mustafa u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Palët i dorëzuan si konfidenciale versionet e tyre të fundit të dosjeve paraprake, më 22 shkurt 2021 Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe më 6 maj 2021 mbrojtja.

Më 30 prill 2021, gjykatësi i procedurës paraprake miratoi kërkesat e pesë viktimave dhe i pranoi ato si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor, Grupi I. Më 7 maj 2021, gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues I.

Më 21 maj 2021, trupi gjykues miratoi kërkesat e katër viktimave tjera dhe i pranoi ato si viktima pjesëmarrëse në procedura si pjesë e Grupit 1. Trupi gjykues gjithashtu zgjati afatin për viktimat për të aplikuar deri në mbylljen e çështjes së Prokurorit të Specializuar.

Konferencat përgatitore për gjykimin në këtë çështje u mbajtën më 9 dhe 10 qershor 2021.

Lexo edhe

Video

error: