​Gjykata Speciale pa transparencë dhe me mangësi të mëdha

Pa transparencë, mangësi në respektimin e të drejtave të të pandehurve, redaktime të tepërta dhe nxjerrje e provave me vonesë, janë disa prej problemeve që Instituti i Kosovës për Drejtësi i ka theksuar në raportin e nxjerrë nga monitorimi i punës së Gjykatës Speciale. Në IKD gjithashtu thonë se vazhdimi i hetimeve pas konfirmimit të aktakuzës dhe ngritja e aktakuzave të reja në mes të proceseve gjyqësore, krijon pasiguri për të akuzuarit.

Pas publikimit të raportit, IKD ndër të tjera i ka rekomanduar Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar që llogaridhënien ndaj qytetarëve të Kosovës ta zbatojnë në përpikëri në praktikë.

Medina Kadriu, hulumtuese dhe autore e raportit, ka thënë se puna e prokurorisë dhe gjykatës në Hagë është përcjellë me mangësi të shumta.

“Qasje joserioze prokuroria ka treguar edhe në rastin ndaj Thaçit e të tjerëve, përderisa kjo prokurori kishte pretenduar që do të jetë gati që të fillojë gjykimin në verën e vitit 2021, e njëjta nuk e ka dorëzuar dosjen paraprake deri më 17 dhjetor të vitit 2021. E po ashtu gjatë gjithë kohës në shumicën e rasteve ka kërkuar zgjatje të afateve për nxjerrjen e provave çka tregon jo seriozitet në kryerjen e punës së saj. Ndër akuzat më të mëdha e që është shumë shqetësuese është akuza që mbrojtja e zotit Thaçi i ka bërë prokurorisë sa i përket pretendimit të tyre se organi i ndjekjes ka mbajtur të fshehur prova shfajësuese nga gjykata e mbrojtja, të gjitha këto padyshim se janë shqetësuese s i përket njërit prej parimeve bazë të procedurës penale e që është parimi i barazisë së armëve”, ka thënë Kadriu.

Ajo ka thënë se të gjitha këto ndikojnë në përgatitjen efektive të mbrojtjes.

“Vazhdimi i hetimeve pas ngritjes së aktakuzës si dhe ngritja e akuzave të reja në mes të proceseve gjyqësore padyshim se është një faktor i cili krijon pasiguri juridike për të akuzuarit e njëkohësisht gjithashtu nuk i kontribuon aspak ekonomizimit të procedurës për shkak që sigurisht që shkaktohet stërzgjatja e procedurave penale, në rastet kur kemi stërzgjatje të procedurave penale bihet ndesh me parimin e gjykimit në kohë të arsyeshme dhe të drejtë”, ka thënë ajo.

Kadriu ka thënë se rasti ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit pritet të stërzgjatet.

“Sa i përket fillimit të gjykimit janë dy raste që janë në fazë paraprake e që pritet fillimi i gjykimeve në to, por që sigurisht që në bazë çka po shohim dhe vonesave që po shkaktohen do të duhet akoma kohë që të pritet fillimi i gjykimit në rastin e Pjetër Shalës, sidomos në rastin Thaçi e të tjerët, rast që me siguri do të prolongohet në formë shumë të gjatë”, ka shtuar ajo.

E Lavdim Makshana, hulumtues në IKD, ka thënë se DhSK dhe ZPS nuk e kanë marrë me seriozitet parimin e barazisë së armëve duke theksuar këtu mungesën e transparencës.


“Gjatë këtyre viteve këtë gjykatë e ka karakterizuar mos transparenca, edhe në rastet kur ndaj mbrojtësve nuk u janë dorëzuar materialet e nevojshme të cilat thamë që e kanë cenuare parimin bazë të barazisë së armëve, që në rastin konkret po tregon që gjykata Speciale dhe zyra e Prokurorit të Specializuar nuk e kanë marrë me seriozitet në disa raste këtë parim që është bazë për me ushtri një mbrojtje efektive”, ka thënë ai.

Sipas IKD-së, Kosova nuk mund të krijojë mekanizëm mbikëqyrës mbi Gjykatën Speciale meqë një veprim i tillë do të konsiderohej ndërhyrje në drejtësi.

Në raportin e IKD-së përmendet edhe çështja e rrjedhjes së dokumenteve nga ZPS, për publikimin e së cilave janë shqiptuar aktgjykime fajësie ndaj krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

IDK vlerëson së ZPS duhet të informojë publikun se si ka ardhur deri të rrjedhja e dokumenteve dhe cilat janë veprimet që i kanë ndërmarrë për zbardhjen e rastit.

Sipas IKD-së, Kosova nuk mund të krijojë mekanizëm mbikëqyrës mbi Gjykatën Speciale meqë një veprim i tillë do të konsiderohej ndërhyrje në drejtësi.

Ndër të rekomandimet e listuara nga IDK është edhe evitimi i problemeve teknike të cilat po bëhen pengesë për zhvillim të proceseve gjyqësore në Gjykatën Speciale.

IDK kërkon edhe sigurimin e një salle tjetër të gjykimit meqë sipas tyre një problem i tillë logjistik nuk e arsyeton zvarritjen e gjykimeve.

Ky institut kërkon nga DhSK që të bëjë publikimin e dokumenteve në fazën zyrtare në tri gjuhët zyrtare të gjykatës, gjithashtu thekson që ZPS dhe DhSK duhet të respektojnë të drejtën e të pandehurve për mbrojtje efektive.

Sipas tyre duhet sa më parë të përfundojë nxjerrja e plotë e materialeve.

Lexo edhe

Video