​Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshon urdhër-arrest për Putinin

​Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshon urdhër-arrest për Putinin

Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhër-arrest për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, duke e akuzuar atë se është përgjegjës për dëbimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina, që përbën krim lufte.

Në deklaratën e gjykatës u tha se urdhër-arresti është lëshuar edhe për Maria Lvova-Belova, zyrtare ruse për të drejtat e fëmijëve, e cila dyshohet se drejton dëbimin e fëmijëve ukrainas për në Rusi.

Të dy dyshohen se “kanë kryer vepra vetë, bashkërisht me persona të tjerë apo përmes personave të tjerë”, u tha në njoftimin e gjykatës, raportoi Radio Evropa e Lirë.

Aty po ashtu u tha se Putin ka dështuar “të ushtrojë kontrollin e duhur mbi vartësit civilë dhe ushtarakë që kryen veprat, ose lejoi kryerjen e tyre”. Sipas gjykatës, vartësit ishin “nën kontrollin efektiv të tij [Putinit], në përputhje me përgjegjësinë superiore”.

“Ka arsye për të besuar se çdo i dyshuar është përgjegjës për krimin e luftës të dëbimit të paligjshëm të popullsisë dhe transferimit të paligjshëm të popullsisë nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Federatën Ruse, sa i përket fëmijëve ukrainas”, tha Gjykata Penale Ndërkombëtare në deklaratën e lëshuar më 17 mars.

Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Andriy Kostin, tha se vendimi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, me seli në Hagë, është vendim “historik”.


“Tash e tutje, presidenti rus ka status zyrtar të të dyshuarit për kryerjen e një krimi ndërkombëtar”, tha ai përmes një deklarate.

Duke u përgjigjur lidhur me urdhër-arrestin ndaj Putinit, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse tha se ky urdhër-arrest “nuk ka kurrfarë rëndësie”.

“Vendimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare nuk kanë asnjë rëndësi për shtetin tonë, përfshirë edhe nga aspekti ligjor”, tha Maria Zakharova përmes një postimi në Telegram.

Përderisa urdhër-arresti ka të ngjarë të dobësojë statusin e Putinit në qarqet ndërkombëtare, është ende e paqartë se si do të ekzekutohet urdhri kundër tij.

“Ky është një moment i rëndësishëm në procesin e drejtësisë para Gjykatës… teksa gjyqtarët lëshojnë urdhër-arreste, ekzekutimi i tyre varet nga bashkëpunimi ndërkombëtar”, tha presidenti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, gjykatësi Piotr Hofmanski.

Pavarësisht dëshmive të shumta, Rusia vazhdimisht ka mohuar se ka kryer mizori që kur ka nisur pushtimin e shtetit fqinj, Ukrainës, më 24 shkurt 2022, raportoi Radio Evropa e Lirë.

Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, që ka dokumentuar transferimin e civilëve ukrainas dhe i ka cilësuar këto veprime si “shkelje serioze të ligjeve të luftës që përbëjnë krime lufte dhe potencialisht krime kundër njerëzimit”, tha se urdhër-arresti ndaj Putinit “është hapi i parë për t’i dhënë fund mosndëshkimit që ka inkurajuar për një kohë të gjatë bartësit e luftës ruse kundër Ukrainës”.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.