​Gjukanoviq e Millatoviq premtojnë të ardhme evropiane për Malin e Zi

Qytetarët në Mal të Zi sot po votojnë për të zgjedhur presidentin që do të udhëheq këtë shtet në pesë vitet e ardhshme. Kreu aktual i shtetit, Milo Gjukanoviq, ka si kundërkandidat Jakov Millatoviq që u bë pjesë e skenës politike malazeze vetëm tre vjet më parë. Ky është raundi i dytë i zgjedhjeve.

Kryetari aktual i shtetit, Gjukanoviq deklaroi se rizgjedhja e tij në krye do të thotë orientim pro-evropian për shtetin fqinj.

“Mendoj që ky është momenti i duhur, momenti fillestar, që Mali i Zi të shpallë rikthimin e saj në rrugën e zhvillimit evropian, besoj se rezultatet e zgjedhjeve do t’i japin të drejtë një pritjeje të tillë. Gjithashtu në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit do të konfirmojmë qëllimin e tillë prandaj edhe besoj se po fillon një kohë e re dhe më e mirë, në të cilën Mali i Zi do të vazhdojë në mënyrë efikase dhe të qëndrueshme të ecë drejt qëllimit të saj evropian”, tha Gjukanoviq pas votimit.


Kandidati tjetër, Jakov Millatoviq, deklaroi se dita e sotme është historike dhe duke nënkuptuar për Gjukanoviqin, tha se është koha e duhur që Mali i Zi të shkëputet nga e kaluara.

Ai foli edhe për marrëdhëniet me Serbinë, duke thënë se dëshiron të mbajë raporte të mira me shtetin serb po edhe të anëtarësojë Malin e Zi në Bashkimin Evropian.

“Unë jam i përkushtuar për marrëdhëniet më të mira absolute të mundshme me Serbinë dhe me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, më vjen keq që në periudhën e mëparshme nuk ishte kështu dhe mendoj se nga pozicioni i presidentit të Malit të Zi dhe natyrisht me Qeverinë e Malit të Zi do të bëj gjithçka që më në fund të kaluarën t’ia lejmë të kaluarës dhe të ndërtojmë realisht bashkërisht një të ardhme ekonomikisht më të fortë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Malit të Zi dhe Serbisë dhe të gjitha vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, dhe jam i sigurt se e ardhmja e përbashkët është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian”, deklaroi Millatoviq.

Gjukanoviq, udhëheqës i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe president aktual i Malit të Zi, ka qenë një aleat kryesor i Perëndimit për kundërshtimin e ndikimit rus. Ndërsa, Jakov Millatoviq, kandidat i Lëvizjes Evropa Tani, është mbështetur nga disa parti pro-ruse.

Lexo edhe

Video