​Gjashtë vjet nga nënshkrimi, zbatimi i MSA-së vlerësohet i ngadalshëm

Kosova vazhdon të ngecë në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) duke mos arritur të përmbush objektivat e agjendës evropiane. Këtë e thonë deputetët e opozitës dhe shoqëria civile të cilët kritikojnë qeverinë, për siç thonë ata, dështimin e përmbushjes së objektivave për MSA-në, si marrëveshja e parë kontraktuale e Kosovës me Bashkimin Evropian, e nënshkruar në vjeshtën e vitit 2015, e që kishte hyrë në fuqi në prill 2016.

Por, në anën tjetër nga ekzekutivi kanë theksuar se niveli i përgjithshëm i zbatimit të MSA-së është 51.43 përqind.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka bërë një vlerësim të implementimit të Planit Kombëtar të Zbatimit të MSA-së për vitin 2021 në tërësi.

Për këtë, Lirika Agusholli hulumtuese në GLPS thotë për KosovaPress se zbatimi i MSA-së është një proces i ngadalshëm, siç thotë ajo nga 245 objektiva të parapara për vitin 2021, vetëm 119 prej tyre janë përmbushur ose vetëm 49% në total.

“Të gjeturat nga monitorimi i GLPS-së për implementimin e Planit Kombëtar të zbatimit për MSA-në nga institucionet përgjegjëse të Kosovës, rezultojnë se nga 245 objektiva të parapara për vitin 2021, vetëm 119 objektiva janë të përmbushura, që i bie rreth 49 përqind të këtyre objektivave në total. Ndërkaq, pjesa tjetër, 51 përqind janë ose në proces të përmbushjes ose nuk janë nisur fare, kështu rrjedhimisht janë bartur për vitin 2022. Në masat legjislative janë përmbushur vetëm 49 përqind, ndërsa për masat zbatuese janë përmbushur rreth 51 përqind. Duke parë këtë përqindje shumë të vogël, GLPS ka konkluduar që institucionet e Kosovës kanë dështuar në hartimin e legjislacionit primar ose kanë nisur me vonesë në hartimin dhe miratimin e këtyre legjislacioneve për vitin 2021”, thekson ajo.

Hulumtuesja Agusholli tutje thekson se në 2021, Kosova nuk arriti të plotësojë as gjysmën e objektivave. Ajo tregoi se për cilat ligje kanë dështuar institucionet e Kosovës.

“Institucionet përgjegjëse kanë dështuar për të hartuar legjislacionin sekondar, siç është Rregullorja e Kuvendit, Ligji për arsimin e lartë, që janë shtyrë nga viti në vit, por edhe në vitin 2022 nuk janë miratuar. Gjithashtu edhe pakoja e Reformës së administratës publike ka dështuar të miratohet për këtë vit, e që është me prioritet të lartë në këtë plan të zbatimit, siç janë po ashtu Ligji për pagat, Ligji për zyrtarët publikë, dhe Ligji për valën e dytë të racionalizimit të agjencive të pavarura. Mund të themi se ka pasur një përmbushje të ngadalshme të objektivave të parapara, sepse vetëm 49 përqind të objektivave janë përmbushur. Pra, është një proces që po shkon ngadalë dhe objektivat e caktuara nuk e kanë kaluar as gjysmën e paraparë në Planin Kombëtar të zbatimit. Pra, ka ngecje të dukshme në këtë aspekt nga institucionet përgjegjëse”, thekson ajo.

Krahas kësaj, Agusholli thotë se përfitimi i Kosovës nga MSA është përafrimi apo standardizimi i legjislacionit të Kosovës me atë të Bashkimit Evropian. Rrjedhimisht nga MSA burojnë edhe disa procese reformuese që Kosova do të duhet t’i iniciojë siç janë reforma në administratë publike apo edhe përmirësimi i klimës të të bërit biznes në Kosovë, në mënyrë që ekonomia kosovare të jetë konkurruese në tregun rajonal apo edhe atë evropian.


Kryetari i Komisionit për Ekonomi nga radhët e PDK-së Ferat Shala ka thënë për KosovaPress se Kosova nuk ka përfituar aq sa ishte e pritshme në aspektin ekonomik.

“Ka ngecje të mëdha në shumë sektorë dhe pothuajse vitet e fundit janë vite shqetësuese sa i përket përmbushjes së kritereve dhe standardeve… Fushat janë të gjithanshme, por veçanërisht këto të sektorit të ekonomisë dhe të sektorëve të tjerë, të mjedisit, përjashto disa raporte që janë pozitive të raportimeve, të tjerat janë jo në pozitë të favorshme”, thotë ai.

Edhe deputeti Pal Lekaj nga AAK, ka thënë se fatkeqësisht kjo qeveri është larg përmbushjes së objektivave për MSA-në.

“Jemi shumë larg përmbushjes së premtimeve. Kemi një neglizhencë të kësaj qeverie dhe nuk janë përmbushur të gjitha premtimet që janë bërë në afatet e caktuara, por ne mendojmë që këtu duhet të jemi bashkërisht për politikat e jashtme që ndikojnë drejtpërdrejt në forcimin e shtetit dhe atë që i kemi premtuar bashkësisë ndërkombëtare. Por fatkeqësisht e them që jemi larg synimeve tona që t’i përmbushim të gjitha kriteret që janë kërkuar sa i përket MSA-së”, thekson deputeti Lekaj.

Derisa zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi në mbledhjen e fundit të Qeverisë, duke prezantuar para kabinetit qeveritar rezultatet e zbatimit të Programit Kombëtar për MSA-në gjatë vitit 2021, ka thënë se në këtë program kanë paraparë 245 masa prej të cilave 111 janë masa legjislative 134 janë masa zbatuese.

Ndërkaq, sipas tij, institucionet qeveritare kanë përmbushur 51.7 përqind apo 104 nga 201 masa të parapara.

“Niveli i përgjithshëm i zbatimit të programit është 51.43 përqind apo 126 nga 245 masat e parapara. Tek masat legjislative është 46 përqind, 51 nga 111 sosh, ndërkaq tek reformat zbatuese janë 56 përqind të zbatuara a 75 nga 134 masa. Ju rikujtoj se po flasim për një periudhë 6 mujore të implementimit të MSA-së… Sipas institucionit, institucionet e qeverisë kanë një përmbushje prej 51.7 përqind apo 104 nga 201 masa të parapara, ndërkaq institucionet e tjera nga 44 masa të parapara kanë përmbushur gjysmën apo 22 sosh”, ka thënë Bislimi.

Plani Kombëtar i Zbatimit të MSA-së 2021-2025 është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në tetor të vitit 2021 dhe shënon planin e gjashtë që prej vitit 2015 kur u nënshkrua MSA-ja. /I.Shabani/

Lexo edhe

Video