​Gërvalla në OKB: Serbia me ndihmën e Rusisë është shndërruar në kërcënim

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, akuzoi Serbinë për përpjekje të vazhdueshme për të rritur tensionet në rajon, duke thënë se propaganda e Aleksandër Vuçiqit për luftë i ka rrënjët te regjimi i kriminelit Sllobodan Millosheviq.

Gërvalla, duke shpalosur të arriturat e Republikës së Kosovës, u ndal edhe tek afati për regjistrimin e veturave për të gjithë qytetarët serbë të cilët i kanë veturat me targa ilegale të Serbisë.

Ajo tha se retorika e Vuçiqit është kërcenim serioz për stabilitetin dhe paqen në rajon. Ndërsa kritikoi edhe UNMIK-un që nuk ka përfshirë në raport edhe kërcënimet ndaj serbëve lokalë që të mos i regjistrojnë automjetet me targat e Republikës së Kosovës.

“Në fund të këtij muaji po përfundon periudha për zëvendësimin e targave të paligjshme me ato të ligjshme. Tashmë 90% e pronarëve të makinave përkatëse kanë zëvendësuar targat e tyre të paligjshme me ato të ligjshme. Ka mbetur një pakicë prej rreth 10%, të cilët kanë ende dy javë kohe për t’i regjistruar. Është fare e thjeshtë, nëse posedoni makinë, duhet të keni sigurim dhe targë të ligjshme, në të kundërt, makina juaj nuk lejohet në rrugë publike apo private. Serbët ekstremistë po ndjekin brutalisht një ligj frikësues që ndjek bashkëqytetarët, madje duke djegur veturat e qytetarëve serb të Kosovës që tashmë kanë ndërruar targat, është gabim i madh për UNMIK-un që t’i shtyp këto fakte dhe kështu të mos ndihmojë qytetarët kundër ekstremistëve”, tha Gërvalla.

Ministrja e Jashtme e Kosovës u shpreh se fakti që Vuçiq refuzon të zbatojë marrëveshjet të cilat ika nënshkruar Serbia e detyroi Qeverinë e Kosovës të marrë vendime për reciprocitet. Sipas saj, reciprociteti nuk është agresion por praktika më e mirë ndërkombëtare e pranuar nga të gjithë për të tilla raste.

Ajo u shpreh se presidenti serb u bë sërish i dhunshëm kur Kosova kërkoi të respektohet marrëveshja për lirinë e lëvizjes e nënshkruar më 2011.


Gërvalla tha se për asnjë moment Kosova nuk e ka provokuar askënd por ka këmbëngulur në zbatimin e marrëveshjes.

Serbia ishte pajtuar që në vitin 2011 për lirinë e lëvizjes, dhe prapë e ka shkelur gjithmonë marrëveshjen për më shumë se 10 vjet kur Kosova shpalli zbatimin e reciprocitetit edhe për letërnjoftime, zotëri Vuçiq kërcënoi sërish me dhunë, dhe sërish NATO dhe BE-ja duhej të ndërhynte dhe të shmangte dhunën. Pra, pas më shumë se 10 vitesh, qytetarët e Kosovës më në fund mund të udhëtojnë me letërnjoftime nëpër Serbi, siç bëjnë kur udhëtojnë nëpër vendet fqinje si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Kërcënimi për stabilitetin dhe paqen vinte nga njëra palë, këtu nuk ka vend për të dyja palët dhe ajo palë është Beogradi. Kosova nuk provokoi, Kosova nuk kërcënoi askënd, Kosova vetëm këmbënguli që Serbia, pas më shumë se 10 vjetësh, me të drejtë t’i përmbahet një marrëveshjeje, të cilën e kishte nënshkruar”, tha Gërvalla.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës duke iu referuar presidentit serb Aleksandër Vuçiq, tha se ish-ministri i kriminelit Sllobodan Millosheviq, po promovon ideologjinë raciste të botës serbe dhe paralajmëroi se Kombet e Bashkuara që të jenë të kujdesshëm pasi një luftë e re mund të nisë në Ballkan.

“Kjo supremaci serbe është një kërcënim për paqen, z. Vuçiq po promovon ideologjinë raciste të botës serbe, madje e ka bërë doktrinë zyrtare të qeverisë. Kjo ideologji është versioni i ricikluar i ideologjisë së Serbisë së Madhe, e cila ishte baza ideologjike për luftërat dhe gjenocidin që Serbia bëri kundër katër vendeve nën Millosheviçin në vitet 1990, fantazmat e së kaluarës po kthehen. Shoqëria civile dhe OJQ-të në Serbi, po alarmojnë komunitetin ndërkombëtar se kjo ideologji e botës serbe mund të çojë sërish në konflikt dhe luftë në Ballkan. Se si mund të përfundojë një ideologji e tillë agresive, po demonstrohet vetëm nga Rusia, e cila mbështeti ideologjinë e të ashtuquajturës Botë Ruse”, tha Gërvalla.

Ministrja e Jashtme e Kosovës shtoi se nacionalizmi agresiv në Serbi është duke u bërë prej shumë vitesh përmes fushatave të pamëshirshme nacionaliste dhe raciste të Vuçiqit. Ajo tha se me mbështetjen e Rusisë, Serbia është duke u bërë sërish kërcënim.

“Duke u përgatitur prej vitesh, me propagandën e urrejtjes, Millosheviçi filloi luftën e parë katastrofike në Evropë, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, zotëri Vuçiq ka rritur jo vetëm retorikën e tij agresive brenda Serbisë, por ai e vë atë sistematikisht ngritjen më të madhe ushtarake që nga fundi i Jugosllavisë në vitin 1991, nga vetëm 10 stërvitje ushtarake me Rusinë në vitin 2012, kur Vuçiq mori drejtimin, Serbia mori pjesë në afërsisht, 100 stërvitje të përbashkëta ushtarake me Rusinë, vetëm në vitin 2021”, tha Gërvalla.

Zëvendëskryeministrja Gërvalla lavdëroi punën e ekzekutivit duke thënë se po punon për ngritjen ekonomike dhe zhvillimin e demokracisë dhe sundim të ligjit. 

Lexo edhe

Video