​Gazeta “Rilindja” kërkon njohjen e stazhit dhe 20 përqind për punëtorët

Drejtues të gazetës “Rilindja” kanë akuzuar Qeverinë Kurti për mos pagesën e 20% për punëtorët, derisa paralajmëruan padi ndaj kësaj qeverie edhe deri në Gjykatën ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Drejtori i gazetës “Rilindja”, Zeqir Bekolli tha se në këto rrethana të pandemisë COVID-19 kanë anuluar protestën, por sot në këtë mënyrë, shprehen siç tha ai mllefin ndaj qeverisë për padrejtësitë që po i bëhen kësaj ndërmarrje.

Bekolli theksoi se Qeveria Kurti në stilin e qeverive të kaluara vazhdon t’i injoroj kërkesat e tyre për stazhin e punës dhe 20 përqindëshin.

“Qeveria Kurti, në stilin e qeverive të kaluara vazhdon t’i injorojë kërkesat e punonjësve për 20 përqind dhe për njohjen e stazhit për punën e bërë në gazetë. Madje kjo qeveri shkon edhe më larg, ngase nuk i përgjigjet as kërkesave të sindikatave të punëtorëve për takime zyrtarë të lartë të nivelit qendror. Prej që ka marrë mandatin e tyre, kjo qeveri problemet tona ka nisur t’i shikojë nga dritaret kolor e qeverisë, siç bën edhe ata që shkuan”, theksoi Bekolli.


Bekolli duke thënë se pasuria e “Rilindjes” u uzurpua, u plaçkit, u vodh dhe askush deri më sot nuk dha përgjegjësi për këtë, ngriti dyshimet se do të vidhen mjetet e 20 përqind nga Qeveria Kurti. Derisa tha se janë të detyruar ta padisin qeverinë edhe në arbitrazh.

“Ata që shkuan, pos gënjeshtrës, po dyshojmë se na i vodhën edhe mjetet e 20 përqindëshit sikur edhe pajimet dhe pajisjet të cilat i shiten me çmime të lira. E punonjësit e ‘Rilindjes’ me të drejt po dyshojnë s’e mos do të na i vjedhin edhe këta mjetet e 20 përqindëshit[…]Ne do të detyrohemi ta padisim Qeverinë, nëse është nevoja edhe në Arbitrazh Ndërkombëtar. Kjo nuk na pëlqen, por jemi të detyruar”, theksoi ai.  

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të gazetës “Rilindja”, Besim Kajtazi tha se në vazhdimësi janë të diskriminuar nga Qeveria për kërkesat e tyre.

“Ky është një diskriminim i paparë që është bërë ndaj gazetës dhe ndaj punëtorëve që kanë punuar në gazetë. Vështirësitë që i kanë përjetuar gazetarët, punonjësit e gazetës në atë periudhë më të vështirë që ka pasur Kosova, gjendja e tyre e rëndë ka vazhduar edhe pas luftës”, tha Kajtazi.

Rreth 218 punëtorë presin realizimin e këtyre kërkesave. Sindikalistët paralajmërojnë grevë dhe protesta, në momentin kur të bie numri i të vdekurve të infektuarave nga Covid-19.

Lexo edhe

Video

error: