​GAP: Për të gjitha kulturat bujqësore janë rritur subvencionet, por jo prodhimi

​GAP: Për të gjitha kulturat bujqësore janë rritur subvencionet, por jo prodhimi

Përkundër rritjes së granteve dhe subvencioneve në dhjetë vjetët e fundit për të gjitha kulturat bujqësore, nuk është rritur prodhimi dhe sipërfaqet e mbjella.

Në dy raporte të ndara, Instituti për Studime të Avancuara GAP ka analizuar se si kanë ndikuar grantet dhe subvencionet në prodhimin bujqësor, megjithëse këto dy hulumtime tregojnë se përkundër programeve dhe shumave që ndahen me rreth 48 milionë euro çdo vit për grante dhe subvencione, nuk janë arritur rezultatet e pritura.

Gjatë prezantimit të raportit “Ndikimi i subvencioneve dhe granteve në prodhimin bujqësor”, Jeton Mehmeti nga Instituti GAP theksoi se duke iu referuar edhe raporteve të auditorit, disa bizneset që nuk kanë qenë në sektorin e bujqësisë kanë përfituar nga programi i granteve për bujqësi.

Sipas Mehmetit, në shumicën e këtyre kulturave nuk përputhen shumat e pagesave që janë ndarë.

“Kur e kemi bërë një krahasim të dhjetë vjetëve të fundit, ajo çfarë kemi vërejtur është se përderisa shumat për subvencionet dhe për grante janë rritur gradualisht, në shumë kultura kemi parë se rendimentet dhe ajo çfarë është arritur ose ka mbetur e njëjta në mos edhe është përkeqësuar në krahasim me atë se çfarë ka qenë situata para dhjetë vjetëve. Mund të ketë arsye të ndryshme pse jemi në këtë situatë, por nga raportet e auditimit kemi disa arsye sikurse ajo që ka të bëjë me mungesën e monitorimit të rezultateve, tejkalim të buxhetit në disa raste”, theksoi Mehmeti.

Kryetarja e Komisionit për Bujqësi, Fitore Pacolli në këtë tryezë theksoi se se bujqësia nuk është trajtuar si sektor për mbrojtjen e ushqimit. Teksa tha se është investuar në autostrada por nuk janë marrë me bujqësinë qeveritë e kaluara.

Deputetja Pacolli foli edhe për arrestimet e fundit në Ministrisë e Bujqësisë, që sipas saj, janë rezultat i arrestimit të keqpërdorimeve nga deputetë të VV-së.


“Gjithmonë bujqësia nuk është trajtuar si një sektor i cili na çon drejt sigurisë së ushqimit. Neve pandemia na tregoi shumë qartë që ne jemi një shtet që kemi investuar shumë në autostrada dhe në rrugë, mirëpo nuk kemi siguruar ushqim. Nuk kemi ushqim, në rezervat tona shtetërore pamë që nuk kemi as miell. Në terren gjendja është shumë e keqe, ka bujq dhe fermerë që punojnë shumë, por nuk ka prodhim cilësor. Ne tani e pamë me arrestimet e fundit, dhe ato gjatë muajt shkurt, që është një rezultat i asaj që ka pasur keqpërdorime të mëdha, dhe duhet të hetohet në detaje… Ne kemi kuptuar se ka pasur keqpërdorime shumë herët, edhe rezultati i këtyre hetimeve është kur deputetët e VV-së e kanë paraqitur në prokurori ankesën dhe lëndën për keqpërdorime në subvencione dhe grante. Ky adresim është bërë në vitin 2019 nga deputeti Salih Zyba”, theksoi ajo.

Zyra Kombëtare e Auditorit ka vlerësuar se menaxhimi i sektorit të bujqësisë nuk është bërë në mënyrë të duhur.

Besnik Osmani auditor i përgjithshëm në Zyrën Kombëtare të Auditimit, theksoi procesi i monitorimit të rezultateve të granteve aktuale ka mangësi dhe nuk sigurojnë matjen e rezultateve dhe krijimin e zhvillimit të qëndrueshëm të këtij sektori.

“Përkundër që kemi pasur një investim relativisht të madh nëse krahasojmë kapacitetin e buxhetit publik të Kosovës, ndikimi është shumë i pa mjaftueshëm, sepse nuk po rriten sipërfaqet e kultivuara dhe nuk po rriten rendimentet për çka ka qenë edhe qëllimi kryesor i vet programit për bujqësi, zhvillim rural, i cili ka qenë që nga viti 2014 deri 2020”, theksoi Osmani.

Gentian Gashi hulumtues në GAP gjatë prezantimit të raportit tha se nga viti 2015 deri në vitin 2019 janë ndarë 135 milionë euro në formë të subvencioneve.

Ai tha se te kultura e grurit nga viti 2010 pagesa direkte janë 55 milionë euro, ndërsa, në vitin 2019 rendimenti është ulur për 4 %, dhe është shtuar importi i tij.

Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, pavarësisht konfirmimit, nuk mori pjesë në këtë tryezë.

Ditë më pare dhe në muajin shkurt, policia e Kosovës kishte zhvilluar aksione në Ministri të Bujqësisë për rastin “Subvencionet”, ku janë arrestuar rreth 30 persona në të dy aksionet.

Lexo edhe

Video

error: