​Flet dëshmitari i parë në Hagë në rastin e Salih Mustafës: Çdo gjë u bë me urdhër të të akuzuarit

Dëshmitari i parë në gjykimin e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, ka thënë në seancën e sotme në Hagë se është kidnapuar nga dy persona që sipas tij ishin prezantuar si pjesëtarë të UÇK-së. Dëshmitari ka thënë se nga ta dhe disa persona të tjerë ai është dërguar në Zllashë dhe se është rrahur e maltretuar ku siç ka thënë ai i është vendosur një thes i zi në kokë dhe nuk ka parë se kush ishin personat që e kanë rrahur. Por, në dëshminë e tij sot(e hënë), ai ka thënë se të gjitha kanë ndodhur me urdhër të Salih Mustafës.

Në fillim të pyetjeve për dëshmitarin nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, seanca ka vijuar e mbyllur për disa minuta, për të vazhduar pastaj me dëshminë e dëshmitarit në seancë të hapur.

Aty, dëshmitari ka thënë se fillimisht është ndaluar nga dy persona ku pastaj kishin ardhur edhe dy të tjerë me veturë për t’i marrë dhe dërguar pastaj sipas tij në Zllashë.

Dëshmitari ka thënë se personat në fjalë ishin të policisë ushtarake të UÇK-së dhe sipas tij njëri kishte kapelë të kuqe.

“Vetëm njëri prej tyre e ka pasur kapelën e kuqe, një kapelë të kuqe e ka pasur[…]Dy persona kanë qenë me kerr, njeri prej tyre e ka pasur një kapelë të kuqe[…]nuk më kanë lënë me këqyr hiç”, ka thënë dëshmitari ku nga prokuroi është pyetur nëse personat në fjalë kishin ndonjë emblemë.

Ai ka thënë se i kanë dhënë një çokollate dhe se e kanë rrahur dhe pastaj sipas tij i kanë vendosur një thes të zi në kokë.

“Ma dhanë çokollatën, tu e shti në bark më ka ra boks në gojë me ka çel krejt gjak edhe më kanë shti në një thes të zi, më nuk kanë folur me mu kurrgjë, veç tash kemi me të dhënë çokollata sa të shkon atje”, ka thënë ai.

Dëshmitari ka thënë se e kanë dërguar në Zllashë, që sipas tij është diku 7 ose 8 minuta larg nga vendi ku ai thotë se e kanë marrë.

“Jena shku deri në Zllashë së bashku të gjithë[…]Katër, unë i pesti në kerr, krejt jena shku bashkë”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari ka thënë se e kanë dërguar në një ahur fillimisht, pastaj ka thënë se e kanë nxjerrë jashtë dhe e kanë rrahur për disa orë.

“Kanë ndalë kerrin, thesin e kam pas në kokë[…]më kanë çu në atë dhomën, kur kam shku të dera më kanë sulmu me shkelm, jam rrëzuar, nuk kam pa, pastaj janë ardh të tjerë dhe nuk e di, kam ndejtë ashtu më kanë marrë më kanë çu në një vend tjetër jashtë u kanë ftohtë e më kanë rrah”, ka thënë dëshmitari.


Derisa prokurori e ka pyetur sa persona kanë marrë pjesë në këtë rrahje për të cilën flet dëshmitari, ky i fundit ka thënë se ishin katër ose pesë persona por që ka qenë me thes në kokë dhe nuk i ka identifikuar.

“Nuk mundem me ditë si më kanë rrah se unë nja dy-tri herë kam qenë i alivanosur, më kanë sjellë më drunj, më kanë sjellë me shkelma, më kanë sjellë nuk e di me çka, gishtin e kam të thyem, dhëmbët i kam të thyem qaty, jam i lënduar, i bëmë operacion. Nuk i kam njohur se me thes ne krye kam qenë[…]Më kanë rrah sa më kanë rrah, më kanë gjuajt ujë dhe më në fund më kanë kap zhag më kanë ngreh më kanë çu brenda, më tani nuk kam ditë kurrgjë, veç kom ra qaty në ahur, deri nesër nuk e di nuk kam ditë kurrgjë, nesërmen kanë ardh tani në mëngjes”, ka thënë dëshmitari.

Sipas dëshmitarit, një prej personave në një moment këmbën në trup derisa ishte shtrirë dhe i ka drejtuar revolen në ballë.

“Kam qenë i shtrirë[…] më kanë shkelë ma kanë qitë kamën qitu, ma kanë shti revolen qitu(në ballë)[…]një moment ja ka ngre kamën revoles, revolja shkrep ka bo, nuk ka kris hiç”, ka thënë dëshmitari.

Ndërsa prokurori ka pyetur se kush ishte personi që i kishte drejtuar revolen, dëshmitari ka thënë se “ishte i akuzuari” të cilit nuk i ka përmendur emrin.

“Ky është njeriu që, i akuzuari është. Ky që është i akuzuar qitu. Në atë moment nuk ka pasur nofkë hiç, e di më herët, e ka pasur kapelën e kuqe. Nuk di kurrgjë, nuk kam parë, terr u kon, ky personi është e di. E di se ai u kanë kryesori atje[…]Pa thënë i akuzuari ata nuk kanë bërë kurrgjë, tjerët ushtarë, i akuzuari u kanë kryesori, dhe ai u kanë, unë nuk e kam pa se u kanë terr nuk e kam pa”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari i parë në gjykimin e Salih Mustafës po dëshmon nën masa të mbrojtura sigurie ku identiteti i tij nuk është i ditur për publikun dhe ka të vendosur një perde e cila i pamundëson të akuzuarit Salih Mustafa të shoh dëshmitarin.

Në fillim të seancës Salih Mustafa ka kërkuar fjalën por nga gjykatësja i është thënë se do të ketë një rast tjetër gjatë seancës së sotme për t’i dhënë fjalën meqë njëherë do të vijojë seanca me dëgjimin e dëshmitarit.

Seanca e sotme ku po merr pjesë dëshmitari i parë ka vijuar e mbyllur për disa minuta dhe në disa pjesë ka pasur redaktim gjatë transmetimit.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja dhe që po qëndron në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator, me pretendimin për krime lufte, dhe u dërgua në objektin e paraburgimit në Hagë.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.