​Filluan punimet e projektit të unazës në qendër, pritet shkarkimi i trafikut

Kanë filluar sot punimet e projektit të unazës qendër në lagjen Arbëria, për të cilin kryetari i Prishtinës Përparim Rama tha se është më i rëndësishmi në dhjetë vitet e fundit.

Rama theksoi se me këtë projekt do të mundësohet lëvizja më e mirë e trafikut dhe lidhja e Arbërisë me pjesët tjera të qytetit, pa krijuar kolona. Ai tha se projekti pritet të përfundojë brenda tre muajve dhe se faza e parë i ka kushtuar kryeqytetit mbi një milion euro.


“Kemi filluar më një projekt që mund te them që është projekti me rëndësinë më të madhe gjatë 10 viteve të fundit për Prishtinën. Është projekti që krijon lidhje të mirëfilltë me lagjen Arbëria me dy rrethrrotullimet të cilat mundësojnë edhe shkarkimin e madh të trafikut dhe mundësojnë edhe lëvizje shumë më të mirë edhe më të lirë edhe për transport alternativ: biçikleta, trotinete dhe këmbësorë… Këtë po e bëjmë të mundur dhe është një projekt madhor, ku faza e parë është 700 metra dhe është 1 milion e 141 mijë euro. Vitin tjetër vazhdojmë me këtë projekt edhe me fazën e dytë që ndërlidh rrethrrotullimin e madh, i cili e lidhë Prishtinën me Fushë Kosovën dhe Mitrovicën… Ka me qenë një projekt i cili përkundër madhësisë së tij pretendojmë ta kryejmë brenda 90 ditëve pune. Tash jeni më fund të nëntorit kështu që do të kemi problem me kohën, shpresoj jo shumë, mirëpo ky është plani dinamik të cilit do të mundohemi t’i përmbahemi me përpikmëri” tha kryetari.

Ndërkaq drejtori i Investimeve Kapitale në komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferri tha se me këtë projekt synohet të gjendet zgjidhja për këmbësorët që kalojnë këtë rrugë. Po ashtu, ai tha se pritet të ndërtohet një tunel i cili mundëson kalimin e hekurudhave pa u penguar nga varrezat.

“Kemi menduar edhe pjesën e kalimit të këmbësoreve që në 2023 e kemi të planifikuar te stacioni i trenit me kalimin me Arbërinë dhe kemi kalimet e përkohshme tek pjesa e parë të cilën këmbësorët të mos të kalojnë në këtë formë. Jemi në koordinim të plotë edhe me të gjitha institucionet dhe nuk kemi diçka që na pengon… Kemi marrë një detyrë projektuese dhe kemi menduar që kalimi i hekurudhave të jetë me një formë të tunelit për t’iu shmangur varrezave të cilat e kanë penguar lidhjen e kësaj. Jemi duke punuar me projektin, deri në fund të vitit do të përfundojë dhe në fillimvit do të nisim punimet për këtë pjesën e ndërlidhjes së këtyre dy rreth rrotullimeve të cilat do të mundësojnë një komunikacion njëkahorë do të thotë pjesa e rrugës e cila është ekzistuese do të jetë njëdrejtimëshe ndërsa rruga të cilën jemi duke punuar do të ketë një drejtim tjetër që kjo mundëson një lehtësim jashtëzakonisht të mirë të komunikacionit”, tha ai.

Lexo edhe

Video