​FHK shpall më të mirët e vitit 2021

​FHK shpall më të mirët e vitit 2021

Federata e Hendbollit e Kosovës ka shpallur më të mirët e vitit 2021.

Ceremonia “Laureatët e vitit 2021” është mbajtur duke respektuar masat anti Covid-19.  Fillimisht presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini ka mbajtur një fjalim rasti, në të cilin ka folur për të arriturat e FHK-së gjatë vitit të kaluar. Viti 2021 është vlerësuar i suksesshëm për hendbollin kosovar, përkundër sfidave që ka paraqitur pandemia.

Hendbollistët më të mirë të vitit 2021 janë shpallur Egzon Gjuka dhe Burneta Rama. Përzgjedhja është bërë me votat e trajnerëve të skuadrave të Superligës.

Gjuka me Besa Famgas ka fituar të gjithë trofetë në hendbollin kosovar, ndërsa është paraqitur me plot sukses edhe në Kupën Evropiane. Qendra pejane ishte pjesë e rëndësishme edhe e Kombëtares së Kosovës që kishte një vit të suksesshëm.

Burneta Rama me Vushtrrinë e ka fituar titullin e kampionit. Rama për kohë të gjatë është lidere e Vushtrrisë, që vazhdimisht është prej skuadrave kryesore në vend.

Kapiteni Valon Dedaj është shpallur hendbollisti më i mirë i Kombëtares së Kosovës për vitin 2021. Hendbollistja më e mirë e Kombëtares së Kosovës për herën e dytë rresht u shpall Marigona Hajdari.


Shtatëshen më të mirë te hendbollistët e përbëjnë: Mursel Mehmeti (Besa Famgas – portier), Lulzim Shabani (Prishtina – alo e majtë), Festim Mustafa (Kastrioti – fundor i majtë), Egzon Gjuka (Besa Famgas – qendër), Kastriot Jupa (Besa Famgas – lojtar i vijës), Arbios Mushkolaj (Besa Famgas – fundor i djathtë), Drilon Tahirukaj (Besa Famgas/Deçani – alo e djathtë). Rron Ramadani i Prishtinës është shpallur lojtari më i mirë i mbrojtjes, ndërsa Festim Mustafa me 250 gola është golashënuesi më i mirë i vitit 2021.

Besa Famgas është klubi më i suksesshëm për vitin 2021, ndërsa i takoi mirënjohje edhe për suksesin e arritur në Kupën Evropiane.

Te hendbollistet shtatëshen më të mirë të Superligës e përbëjnë: Njomza Kelmendi (Vushtrria – portiere), Albina Rugova (Istogu – alo e majtë), Burneta Rama (Vushtrria – fundore e majtë), Pranvera Ferataj (Istogu – qendër), Shqipe Tahiri (Vushtrria – lojtare e vijës), Albulena Kelmendi (Ferizaj – fundore e djathtë), Mimoza Sefedini (Ferizaj – alo e djathtë).

Alma Nivokazi e Prishtinës është shpallur hendbollistja më e mirë e mbrojtjes, ndërsa Argoneta Goqi e Shqiponjës me 290 gola është golashënuesja më e mirë.

KHF Vushtrria është shpallur klubi më i suksesshëm i vitit te hendbollistet.

KH Vëllaznimi u shpall klubi më i suksesshëm i vitit te juniorët, KH Prishtina te kadetët, ndërsa Besa Famgas te pionierët. KHF Istogu është klubi më i mirë te kadetet, ndërsa KHF Vëllaznimi te pionieret.

Lexo edhe

Video