​Federatat sportive do të rilicencohen, Çeku: Po vlerësojmë nëse ia vlen ndërtimi i stadiumit nacional

Rilicencimi i të gjitha federatave sportive në Kosovë do të jetë njëra nga punët kryesore që planifikon t’i bëjë Ministria e Kulturës, Rinisë, dhe Sportit gjatë këtij viti. Kështu ka bërë të ditur në një interviste për KosovaPress ministri Hajrulla Çeku. Në një intervistë për KosovaPress, titullari i MKRS, flet edhe për stadiumin nacional, strategjinë për investime në sport si dhe për promovimin e Kosovës si shtet i xhudos.

Duke iu rikthyer rilicencimit, Çeku thotë se arsyeja pse duhet të ndodh kjo është se dokumenti ekzistues i licencimit nuk i plotëson të gjitha standardet ndërkombëtare për licencim. Ai shton se kriteret e reja që do të vendosen nga kjo ministri do të jenë shumë më të fuqishme dhe do të kërkohet që këto federata t’iu përmbahen në përpikëri parimeve mbi të cilat e marrin licencën

“Në raport me federatat dhe kjo është kërkesë e komunitetit definitivisht, para se gjithash, ne i kemi nisur disa procese të tjera. E para ka të bëjë më rregullsinë financiare. Ne duam që të sigurohemi se financat publike që iu jepen federatave mbyllen, raportohen dhe shpenzohen në mënyrë të rregullt, kështu që e kemi rritur monitorimin edhe vlerësimin në atë aspekt. E dyta ka të bëjë me rilicencimin. Ne po e zhvillojmë tashmë aktin nënligjor të licencimit të federatave, do të ketë kritere të reja më të fuqishme dhe nga fillimi i vitit 2022 të gjitha federatat e sportit i nënshtrohen procesit të licencimit nga e para. […] Si autoritet që i licencojmë këto federata ne duhet të sigurohemi që federatat i përmbahen parimeve mbi të cilat i marrin ato licenca sepse licenca është një obligim të cilit federata duhet t’i përmbahen disa rregullave dhe standardeve të qeverisjes së mirë”, tha Çeku.

Përveç federatave, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe xhudos. Duke e cilësuar atë si sportin që solli suksese kulminante për Kosovën në vitit që lamë pas, i pari i MKRS-së thotë se do të jetësohet projekti për zhvillimin e xhudos si brend ndërkombëtar i Kosovës derisa shpalos detaje se si do të punohet në këtë projekt.

“Shumë shtete të fuqishme, me ekonomi të jashtëzakonshme, me investime milionëshe në sport nuk e arrijnë suksesin që e ka arritur Kosova me medalje olimpike dhe po besoj që kjo është storie suksesi që e tejkalon, edhe xhudon, edhe sportin, është nacionale, tregon shumë për shpirtin luftarak, për energjinë që e ka shoqëria e Kosovës dhe është storie që duhet të ndahet me të gjithë. Kemi shumë armiq të cilët prodhojnë lajme, propagandë kundër Kosovës në nivele ndërkombëtare dhe ne duhet të jemi shumë më proaktiv që lajmet e mira të shtetit tonë t’i promovojmë ndërkombëtarisht. Kjo është e para, nevoja për ta konsoliduar shtetësinë dhe imazhin e shtetit të Kosovës në nivele ndërkombëtare. Një lloj brendimi ndërkombëtar i Kosovës si shtet i xhudos. […] Kështu që pjesa e asaj që ne po e quajmë ‘Judo Nation’, ose ‘Kosova, shtet i xhudos’ është edhe mundësia për të sjellë në Kosovë organizime ndërkombëtare të sportit të xhudos”, theksoi më tutje ministri Çeku.

Sukseset e mëdha të arritura nga atletët e Kosovës në garat ndërkombëtare natyrisht që e rrisin rrezikun që ata të marrin oferta të mëdha nga shtetet tjera, ashtu siç kishte ndodhur me Majlinda Kelmendin në vitin 2016, por, për të shmangur çfarëdo mundësie që një gjë e tillë të ndodhë në të ardhmen, Çeku zbulon për KosovaPress se janë duke hartuar strategjinë përmes së cilës do të parandalojnë mundësinë që sportistët e vendit tonë të joshen nga shtete të tjera me oferta të ndryshme.


“Konkretisht jemi duke e finalizuar programin i cili shpallet për pak muaj për talentët në disa sporte të tjera, jo vetëm në xhudo, në të cilat do të investojmë në mënyrë strategjike. Nuk mund të zbulojmë tani informata sepse mund të jetë pak e ndjeshme, janë sporte specifike, janë sportistë specifikë, disa trajnerë me potencialë për të cilët është duke u dizajnuar një program me pjesëmarrje të trajnerëve ndërkombëtarë dhe të kampeve ndërkombëtare e shumë mundësive të tjera sepse kemi nevojë që talentët t’i stimulojmë përveç instrumenteve të financimit, ata duhet të kenë programe te veçanta të nxitjes përpara. Unë po besoj që storia me Majlindën dhe mundësinë që ajo të garojë për një shtet tjetër është një çështje e se kaluarës”, tha Çeku.

Çështja e ndërtimit të një stadiumi nacional vazhdon të jetë një temë e hapur në Kosovë tash e disa vite. Sipas Çeku, një projekt kaq i kushtueshëm duhet para se gjithash të ketë një analizë të përbashkët me të gjitha akterët e sportit në vend.

Ai thotë projekti për të cilin është folur gjatë këtyre viteve nuk ka qenë një projekt i detajuar por thjeshtë një koncept fillestar dhe që për shkak të parregullsive që janë gjetur në të, tashmë është dërguar si lëndë në prokurori.

Përveç ndërtimit, Çeku thotë se edhe mirëmbajtja e një stadiumi të tillë do të ishte shumë e kushtueshme, andaj duhet menduar mirë nëse ia vlen zhvillimi i një projekti kaq të madh apo jo.

“Unë nuk them se do të fillojë nga fillimi, por edhe nuk është se ka lëvizur diçka në atë drejtim. Për fat të keq atë projekt që e kemi gjetur, një lloj fizibiliteti fillestar, as projekt detal jo, një koncept fillestar është përcjellë me parregullsi dhe ne atë lëndë e kemi përcjellë në prokurori, është duke u zhvilluar procedura, nuk kam informata se deri ku ka arritur. Shumë shpesh kjo çështje është shndërruar edhe në një far konflikti edhe rajonal, duhet të ndërtohet në këtë zonë apo atë zonë dhe këto janë gabim. Nuk besoj që duhet ta politizojmë këtë çështje. E para duhet të vendosim a është vendimi më i mençur që ne t’i hyjmë një angazhimi të këtillë që kushton kaq shumë, dhe nuk është vetëm kostoja e ndërtimit, mirëmbajtja është po aq e komplikuar në kuptimin financiar përveç profesional edhe të tjerë. Do të thotë a ia vlen t’i shpenzojmë të gjitha ato mjete për një stadium i cili nuk e di a na i kthen, jo vetëm financiarisht por edhe në forma të tjera. Por nëse bashkërisht me komunitetin dhe profesionistët, në bazë ta analizave vendosim që po ka sens edhe sportiv edhe financiar edhe ndoshta në kuptim të imazhit që ta kemi një fasilitet të tillë të madh edhe e vazhdojmë tutje”, theksoi ministri Çeku.

Në fund, Çeku tha se do të investohet shumë edhe në projektin për zhvillimin e sportit shkollor dhe se ky është një projekt me prioritet për Qeverinë e Republikës së Kosovës përmes të cilit synohet që ligat sportive në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës të jenë aktive dhe 300 mijë nxënës të cilët i ka Kosova të jenë aktivë në një sport ose në një tjetër.

Lexo edhe

Video