​Emisarët pas takimit me Kurtin: Të dëgjohen kërkesat tona

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkan, Gabriel Escobar, i kanë paraqitur kryeministrit Albin Kurti propozimin me tri elemente. I pari është deeskalimi i situatës në terren në tri komunat veriore, pastaj zgjedhje të shpejta në këto komuna si dhe rikthimi në dialog.

Pas takimit që patën mbrëmjen e së hënës, të dy emisarët thanë se faktori ndërkombëtar është unik në këto kërkesa dhe shpresojnë se do të dëgjojnë.

I dërguari i BE-së, Lajçak, deklaroi se ky është vetëm fillimi i misionit të tyre në Prishtinë dhe Beograd ndërsa i pyetur nëse ka pajtueshmëri për zgjedhje të reja, ai tha se nuk ka ende një marrëveshje.

Ai tha se diskutimi ishte i hapur i gjatë, i sinqertë, dhe i vështirë por që u shfrytëzua për të shkëmbyer idetë.


Emisari amerikan, Gabriel Escobar, deklaroi se çdo vend mik i Kosovës sot ka të njëjtën kërkesë siç ia kishin parashtruar ata kryeministrit Kurti.

Lajçak deklaroi se në veri duhen kryetarë të cilët kanë legjitimitet.

Escobar deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë mbështetësi më i madh për Kosovën prandaj kërkojnë nga autoritetet që të dëgjojnë kërkesat e tyre.

Të dy emisarët do të qëndrojnë edhe nesër (e martë) në Kosovë, ku fillimisht në mëngjes do të takojnë presidenten Vjosa Osmani ndërsa gjatë ditës edhe përfaqësuesit e Listës Serbe.

Lexo edhe

Video