​E inspiruar nga Majlinda Kelmendi, Kiana Kryeziu rrëfen rrugën drejt suksesit

U bë skitarja e parë femër që e përfaqësoi Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërorë “Pekini 2022” dhe atë në moshën 17-vjeçare. Kiana Kryeziu bëri histori duke e përfaqësuar Kosovën në një garë kaq të rëndësishme dhe duke qenë në shteg me idhujt e saj botërorë.

Në garën e saj në Pekin, ajo u rendit e 59-ta në mesin e 82 garueseve me kohë 1 minutë e 18 sekonda, por për të arritur deri në këtë pikë, Kryeziu tregon se ka bërë një punë të pandalshme, derisa zbulon se sporti i skitarisë është traditë në familjen e saj dhe se ka filluar të merret me të që nga mosha katërvjeçare.

“Sporti i skitarisë, unë ndoshta vonë e kam kuptuar por ka qenë traditë në familjen time, nga familja kanë skijuar stërgjyshi, gjyshi, babi dhe shumë persona në familje të gjerë dhe të ngushtë. Ka qenë një sport që e kam filluar me familje, pra kur kam qenë në një moshë shumë të re, katër apo pesëvjeçare. Kam qenë fëmijë shumë sportiv dhe thjeshtë është një sport që ka mbetur në mua… Me gara dhe marrja me sport seriozisht kam qenë diku në moshën 10 ose 11-vjeçare. Unë gjatë asaj kohe isha duke u marrë me not edhe babi ma prezantoi idenë e skijimit, gjë që unë nuk isha në dijeni që është një sport që ka kompeticione, gara dhe thash pse jo, po e provojmë, të shohim se ku po na dërgon, për shkak se është gjithashtu një prej sporteve të para që jam marr unë. Pas asaj thjeshtë kam rënë në dashuri me sportin e skijimit edhe në kohë të keqe edhe në kohë të mirë gjithmonë ka qenë diçka që e kam bërë me dëshirë dhe thjeshtë kjo vetëm se më ka çuar përpara”, tha Kryeziu.

Puna e palodhshme dhe përkushtimi maksimal solli frytet e saj brenda një kohë shumë të shkurtër. Paraqitjet e mira në garat e nivelit kombëtar kulmuan me ftesën e selektorit të Kosovës, Agim Popovci

“Sukseset e mija të para kanë filluar pas dy-tre viteve që unë jam marrë profesionalisht me sport ku kam filluar të fitoj vende të ndryshme dhe të kem paraqitje të mira në gara kombëtare, gara nacionale, kurse me vonë, për shkak të paraqitjes së mirë dhe suksesit kam marrë ftesë nga selektori i reprezentacionit Agim Popovci që t’i bashkëngjitëm reprezentacionit. Pastaj aty në krahun e tij sukseset e mia vetëm janë shumëfishuar dhe ne do të vazhdojmë të punojmë intensivisht në drejtimin e përmirësimit dhe thjeshtë pas punës së pandalshme kemi arritur këtu ku jemi sot”, theksoi më tutje 17-vjeçarja.


Sukseset e saj të njëpasnjëshme, si medalja e parë ndërkombëtare në sportin e skitarisë për femra e fituar në Mal të Zi, pastaj edhe medalja e parë në sllallomin e madh e fituar në muajin dhjetor të vitit të kaluar, u pasuan nga eksperienca e fundit që ajo kishte në Lojërat Olimpike Dimërore të mbajtura në Pekin duke u bërë vajza e parë që e përfaqësoi Kosovën në këtë garë kaq ta madhe.

Ajo për KosovaPress rrëfen aventurën e saj atje si dhe suksesin e arritur.

“Së pari, diçka që më ka surprizuar shumë ka qenë mikpritja që e kemi marrë. Ka qenë diçka shumë më e mirë se sa e kam pritur unë personalisht. Definitivisht kanë qenë të gjithë sportistët në një vend, ka qenë ndjenja e barazisë që ka mbizotëruar gjithandej. Sa i përket performancës sime, jam shumë e kënaqur që kamë arritur të performoj në atë nivel aq të lartë të garës. Ka qenë gjithashtu një kënaqësi shumë e madhe ta ndaj shtegun me idhujt e mi dhe ta kem mundësinë t’i shoh dhe të jem me to dhe ta kem në një farë mënyre një sfidë të njëjtë. Ishte shumë emocionuese dhe diçka që nuk do ta harroj kurrë”, u shpreh Kryeziu.

Synimet e saja janë të mëdha. Kryeziu thekson se ëndërron t’i sjellë medalje Kosovës, derisa pranon se janë sukseset e shumta të vajzave të xhudos së Kosovës ato që e frymëzojnë për të shkuar sa më lartë në sportin e skitarisë.

“Vajzat e xhudos për mua kanë qenë një inspirim shumë i madh. Unë i kam përcjellë lojërat e Majlindës në Rio, i kam përcjellë si fëmijë në televizion dhe në një farë mënyrë aty edhe ka filluar ëndrra ime për të shkuar në Olimpiadë. Në të njëjtën kohë e kamë përcjellë edhe Olimpiadën e Tokios në vitin 2021 dhe kjo ka qenë një shtytje shumë e fortë, një motivim për të vazhduar dhe për t’u marrë edhe me më shumë seriozitet dhe me më shumë përkushtim në këtë sport edhe definitivisht ka qenë një shtytje shumë e madhe dhe unë ëndërrojë ta shoh veten aty ku kanë qenë dhe kanë shkelur ato”, tha në fund Kiana Kryeziu.

Kryeziu thotë se përfaqësimi i Kosovës në gara ndërkombëtare, në një moshë kaq të re peshon shumë, por gjithashtu paraqet edhe një nder historik dhe krenari të veçantë./A.Bytyqi/

Lexo edhe

Video