​Dyfishohet numri i vizitorëve në Muzeun Historik dhe Etnografik të Krujës

​Dyfishohet numri i vizitorëve në Muzeun Historik dhe Etnografik të Krujës

Muzeu Historik dhe Etnografik i Krujës, priti rreth 54 mijë vizitorë vendas e të huaj, gjatë vitit 2021, ose dyfishin e numrit të vizitorëve të së njëjtës periudhë të 2020-ës.

Ministrja shqiptare e Shtetit për Standardet e Shërbimet, Milva Ekonomi, publikoi shifrat sipas të cilave, Muzeu Historik dhe Etnografik i Krujës, gjatë 2020, u vizitua nga 25 157 vizitorë, ndërsa në 2021 numri i tyre u dyfishua në 54 951 vizitorë.


Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja.

Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim.

Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është monument kulture i kategorisë së I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara. Plot 90% e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100% janë funksionale. Në të gjejmë objekte prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi, qëndisma të ndryshme të ekspozuara me finesë. Mosha e këtyre objekteve varion nga 60-70 deri në 500-vjeçare. Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 nëntor 1989./Atsh/

Lexo edhe

Video