Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka pritur sot në takim homologun e saj shqiptar, Ulsi Manja, dhe bashkërisht diskutuan për mundësitë që avokatët , ndërmjetësuesit por edhe noterët të keni mundësi të ushtrojnë profesionin e tyre në Kosovë e Shqipëri. Në takim morën pjesë edhe kryetarët e Odave të Noterëve, Ndërmjetësuesve dhe Avokatëve të të dyja shteteve.
Ministrja Haxhiu u shpreh se përmes këtyre takimeve po japin mundësi që edhe avokatët, noterët dhe ndërmjetësuesit të mund të ushtrojnë profesionet e tyre pa pas nevojë për shtetësinë përkatëse.
Haxhiu theksoi vullnetin e të dyja ministrive për jetësimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në fushën e drejtësisë mes të dyja vendeve.
Ministri i Drejtësisë në Shqipërisë, Ulsi Manja u shpreh se janë të interesuar që marrëveshjet e arritura mes dy vendeve të zbatohen sa më parë sepse ka ardhur koha që kufiri simbolik Kosovë-Shqipëri të mos ekzistojë fare në fushën e drejtësisë.
Manja tha se i gjithë ky bashkëpunim duhet të shihet në frymën e përafrimit me legjislacionin evropian.
Ministri Manja theksoi se përmes këtyre marrëveshjeve mundësohet largimi i barrierave mes të dyja vendeve.
Kryetari i Odës së Noterëve të Kosovës, Aliriza Beshi u shpreh se këto marrëveshje do të ndikojnë të rritet bashkëpunimi me Odën e Noterëve të Shqipërisë.
Zëvendëskryetari i Dhomës Kombëtare të Noterisë së Shqipërisë, Fatmir Laçej ka garantuar se notariati shqiptar do të jetë gjithmonë krahë për krahë me noterët e Kosovës.
Edhe përfaqësuesit e Avokatëve si e Kosovës ashtu edhe ajo e Shqipërisë, por edhe ata të ndërmjetësve të të dyja vendeve shprehën vullnetin për unifikim për jetësimin e marrëveshjeve.